Emery: Liverpooli më i vështirë se Juventusi e Bayerni

Emery: Liverpooli më i vështirë se Juventusi e Bayerni

Trajneri Unai Emery ka thënë se Villarreali duhet të përfitojë nga eksperienca e marrë deri tani, ku do të përballet nesër me Liverpoolin më të mirë të gjitha kohërave për një vend në finale të Ligës së Kampionëve.

Për tu kualifikuar në gjysmëfinale, Villarreali në eliminatore e mposhti Juventusin, kurse në fazën e çerekfinales e eliminoi Bayern Munichun, përcjell KosovaPress.

“Nëndetësja e Verdhë” do të synojë nesër që të vazhdojë ëndrrën drejt finales së kësaj gare, ku do të zhvillojë ndeshjen e parë si mysafire në stadiumin “Anfield Road”.


Para ndeshjes së nesërme, Emery e lavdëroi Liverpoolin duke i cilësuar si favoritë të kësaj gare, por tha që skuadra e tij nuk është më surprizë për kundërshtarët.

“Ne përballemi me sfidën më të vështirë deri tani. Nuk ekziston më faktori i surprizës, ata janë favoriti kryesorë për ta fituar këtë garë. Ekipi është një pasqyrë i trajnerit të tyre, Jurgen Klopp. Ata janë më të mirët për momentin. E shoh këtë gjë si motivim për mua, të provojë dhe të mposht Liverpoolin më të mirë të gjitha kohërave. Për këtë gjë duhet ta tregojmë versionin tonë më të mirë”, tha Emery.

“Sigurisht që ata ndjehen favoritët por kjo është natyrale. Është një sfidë shumë më e vështirë se ajo me Juventusin ose me Bayern Munichun”, shtoi më tej trajneri i Villarrealit.

Villarreal nuk ka fituar në asnjërën prej tetë ndeshjeve të fundit në Angli, por fitorja e tyre e fundit ishte pikërisht në qytetin e Merseyside kundër Evertonit në gusht të vitit 2005.

Lexo edhe

Video