Ekuilibri dhe koronavirusi

Ekuilibri dhe koronavirusi

1.

Njëra nga gjërat më të habitshme në jetë, janë ekuilibrat mahnitës të saj dhe rreth saj. Natyra në mënyrë magjepse rregulloi me përpikëri impresive çdo gjë. Mjafton të vështrohet qoftë edhe përciptazi funksionimi e rregullimi i dukurive e fenomeneve të panumërta, si p.sh ruajtja e raportit të barabartë në mes te gjinive pa më të voglin devijim, jo vetëm te njeriu, por edhe te të gjitha llojet e organizmave. Ose, se si janë shpërndarë në mënyrë proporcionale e të pagabueshme aftësitë dhe shkathtësitë e organizmave te ndryshëm, duke ruajtur ekuilibrin magjik të jetës.

Kështu p.sh. demit të fortë natyra i dha brirë te shkurtër, luanit të fuqishëm i dha shpejtësi e qëndrueshmëri të ultë në vrapim, kurse gjarprit helmues i dha zilen si paralajmërim. Paramendoni, se si do te dukej jeta sikurse këta t’i kishin edhe shkathtësitë tjera, apo, sikur demi i fortë t’i kishte edhe brirët e gjatë sikurse dreri, sikur luani i fuqishëm të kishte shpejtësinë e lepurit, apo sikur gjarpri helmues të mos kishte zile dhe të tjerët të mos kishin mundësi ta dëgjonin kur ai sulmon. Shembujt janë të panumërt e të veçantë, mirëpo kane një veçori te përbashkët: Natyra shpërndau pakrahasueshëm e përpikërisht saktë shkathtësitë, duke u kujdesur që të mos i vendoste të gjitha vetëm te dikush, e asgjë te tjetri. Kështu ajo ruan ekuilibrin, që është baze e jetës.

Po kështu sipas ligjshmërisë se njëjtë, natyra veproi edhe me qenien më të përsosur në planetin tonë – njeriun. Atij që i dhuroi më shumë dije e virtyte i dha më pak mendjemadhësi e vese. Atij që i dhuroi më shumë mençuri e urtësi, i dha më pak mburrësi e krekosje.  Atij që i dha më shumë integritet e dinjitet, i dha më pak ligësi e hipokrizi.

2.


Të gjitha mësimet që nga kohërat e lashta,  mendimtarët e dijetarët më të spikatur të njerëzimit, nga të gjitha civilizimet dëshmojnë, se për të ruajtur e mbajtur jetën, ashtu si është hyjnore dhe e shenjtë, gjëja e parë që duhet pasur parasysh me përkushtim të pashembullt është ruajtja e ekuilibrave, ashtu siç janë krijuar nga natyra. Shpesh herë për një interes a tjetër gjë, këta ekuilibra zhvendosen dhe ç’ekuilibrohen. Ekuilibrat edhe pse mund të zhvendosen deri në një farë mase, ato prape do të rikthehen në gjendjen fillestare, por duke paguar një çmim të caktuar. Edhe vëzhgimi i fenomeneve më të thjeshta të natyrës na bindë lehtas për këtë. Shfrytëzimi i pakontrolluar i inerteve të një lumi, prerja e pakontrolluar e drunjëve, shfarosja e një lloji të kafshëve të egra, dëmtimi i ambientit etj, do të çrregullojë ekuilibrat natyrorë, e që patjetër, do të ketë tagrin e vet, në një forme që njeriu shpesh as nuk mund ta paramendojë. Por, ajo që dihet nga historia, është se popujt që prenë pyjet pamëshirshëm u degraduan e rrëgjuan deri në zhdukje nga thatësia, etja e uria, ata qe shkatërruan lumenjtë pësuan nga vërshimet, kurse ata që shfarosën kafshët nga sëmundjet e ndryshme.

3.

Sot, kur një virus i padukshëm ka ngritur tërë planetin në këmbë, duke bërë që njerëzit të tulaten nga frika e paniku, vallë a nuk është koha që të shikohet se cilët ekuilibra u thyen nga njeriu? Dhe çka duhet bërë për të tejkaluar këtë gjendje. Tash p.sh. flitet shumë në tërë botën për fenomene e dukuri, me të cilat deri dje njeriu qetas vegjetonte me to. Kështu, pra flitet gjithandej p.sh. për pabarazinë në të ardhura, dhe kur më pak se 1% e njerëzve posedojnë mbi 90% te pasurisë se përgjithshme. Apo, pse kishte aq pak investime në sektorin e shëndetësisë publike? Apo se si humanizmi u zvogëlua aq frikshëm në luftën për pushtet, fuqi e para. Se si hipokrizia dhe veset njerëzore mbizotëruan virtytet dhe vlerat njerëzor. Dhe  fundja, si u arrit në gjendjen që romakët e vjetër e quanin: “Homo homini lupus est”, pra njeriu për njeriun është ujk. Se si u rrëgjuan vlerat e mirëfillta e parimet fondamentale njerëzore, dhe si u krijuan anti vlerat. Se si u krijuan çerdhet e se keqes, ne te cilat mbrua ligësia. Se si bota shpirtërore e njeriut pësoi fiasko, dhe u mbizotërua nga ajo materiale e financiare.

4.

Pavarësisht shqetësimeve që globalisht ka ngritur ky virus, megjithatë, ai nuk është as ambisi e as apokalipsi. Por, po ashtu duhet ta kemi të qartë, se çka mund te bëjmë më mirë, e çka mund të përmirësojmë. Virusi u përhap nga Kina, por, po nga aty ka edhe një thënie shumë të mirë: Fjala krizë e përkthyer në gjuhen kineze përbëhet nga dy karaktere: rrezik dhe mundësi. Andaj, nuk duhet shikuar vetëm rrezikun, por edhe mundësinë. Cilat janë mundësitë tona gjatë përballimit me këtë krize? Cilat janë mësimet nga kriza? Nuk na duhet paniku, por as përçmimi i rrezikut, as mburrësia tekanjoze, sarkazma e humori hidhur. Na duhet zbatimi i rregullave të institucioneve shtetërore. Dhe sidomos qetësia e racionalizimi. Duhet parë edhe risitë nga kjo situatë, dhe duhet reflektuar thellë për të.

A nuk po thuhet gjithandej se tash njerëzit po i kthehen më shumë vetëvetes, humanizimit, bashkëpunimit e ndjenjave të reja. A nuk po thuhet se u përmirësua p.sh cilësia e ajrit nga pakësimi i komunikacionit etj etj? Edhe ne në Kosove duhet të mësojmë, qoftë edhe nga gjëra të vogla, si p.sh. mungesa e maskave, dorëzave, dezinfektuesve etj. Ato vërtetë vinin nga importi, po a nuk mundet vallë që industria jonë t’i prodhojë ato? A nuk mundet që planifikimi i emergjencave të bëhet më mirë, dhe në kohë të duhur? Sepse siç thuhet: ‘Koha më e mirë për të ndrequr kulmin është në ditët me diell’. Apo tregimet e vjetra nga librat e shenjte, se çdo here pas disa viteve te mira e te pëlleshme, ka edhe vite të thata, të pa bereqetshme!  E të cilat me mençuri, guxim e kurajo, njerëzimi gjithëherë i ka tejkaluar me sukses.

Lexo edhe

error: