Kongresi i katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës u mundëson profesionistëve shëndetësorë të përditësojnë njohuritë, teknikat dhe teknologjinë e tyre në mënyrë që pacientët të marrin kujdesin më të mirë.
Kështu vlerëson eksperti i njohur ndërkombëtar në mjekësinë estetike, kërkimin bioteknologjik dhe fizikën kuantike, Abs Settipalli.
“Sa herë që doktorët diplomohen nga universiteti, ata kanë një nivel të caktuar njohurish, pasi të përparojnë në karrierën e tyre, teknologjia përparon, kërkimi përparon dhe nëse do të kishit vetëm njohuritë me të cilat u diplomuat, nuk do të arrini kurrë të ecni me kohën në trajtimet që bëni për pacientët tuaj. Kështu që kongreset si ky i lejojnë njerëzit të përditësojnë njohuritë e tyre, të përditësojnë teknikat e tyre, të përditësojnë teknologjinë e tyre. Kështu që pacientët marrin kujdesin më të mirë, që është më i përditësuari me hulumtimet që kemi”, tha Settipalli.
Settipalli që mbanë disa pozita mësimore në institucione prestigjioze, duke përfshirë Universitetin e Leeds dhe Sydney, prezantoi se si bëhet sinteza e proteinave në lëkurë. Ai tha se kirurgjia plastike ka shumë ulje dhe ngritje dhe se ndër gjërat negative të një operacioni plastik është rreziku i formimit të një shenje apo plage.
Ndër të tjera, Settipalli tregoi se vizitoi Kosovën për herë të parë, për të marrë pjesë në Kongresin e katërt Klinik të Kirurgëve të Kosovës. Ai tha se të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë edhe ata kosovarë, kanë qenë miqësorë.
“Është hera ime e parë në Kosovë, nuk është aq ftohtë sa mendoja se do të ishte, por fatkeqësisht, gjithçka që kam parë është pjesa e brendshme e kësaj salle. Kështu që nuk e kam idenë se si është vendi, por salla është shumë e bukur të paktën. Të gjithë kanë qenë shumë miqësorë. Jam i habitur se sa mirë është anglishtja e të gjithëve”, u shpreh Settipalli.