Kur ka prezantuar programin e Qeverisë së tij në maj të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë, mes tjerash, se potenciali i madh i prodhimit të ushqimit në Kosovë, duhet të shfrytëzohet jo vetëm për nevoja të brendshme, por edhe për të eksportuar.
Ai ka thënë se do të angazhohet në blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese për eksport, si dhe do t’i ndihmojë bizneset në gjetjen e tregjeve për eksport.
“Ajo do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, ka thënë Kurti në vitin 2021.
Katër vjet më vonë, kjo bankë nuk është themeluar dhe bilanci tregtar nuk është se ka ndryshuar, raporton Evropa e Lirë.Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe të Doganës së vendit tregojnë se në vitin 2021 vlera e eksporteve në Kosovë ka qenë 775.7 milionë euro, kurse e importeve 4.6 miliardë euro.
Në vitin 2024, eksportet janë rritur në 990.2 milionë euro, por edhe importet në 6.3 miliardë euro.
Me këso premtimesh, mbështetësve u drejtohen edhe kundërkandidatët e tij.
“Ne nuk i ofendojmë bizneset private. Ne do t’i mbështesim bizneset private. Në qeverinë time, nuk do të ketë më pagesa të TVSH-së në kufi, por në brendi të Kosovës, pas shitjes së produkteve dhe jo përpara”, u ka thënë Hamza mbështetësve në Skenderaj.
Për Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bizneset krijojnë vende të reja të punës, eksportojnë dhe ulin deficitin e lartë tregtar. Është “paradoks i kohës”, sipas tij, që ato edhe sot e kësaj dite përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Këtë pikëpamje për bizneset, në disa tubime me mbështetës, e ka ndarë edhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Duhet të dërgojmë sinjale të qarta se biznesi është partner. Bizneset janë vlerë e shtuar, krijojnë buxhet, krijojnë investime. Duhet t’i fuqizojmë sipërmarrësit tonë, jo vetëm të mëdhenjtë dhe jo vetëm do, por çdo sipërmarrës të Kosovës duhet ta kemi partner”, ka thënë Haradinaj para mbështetësve të tij në Rahovec.
Në konferencën e fundvitit të kaluar me afaristë, Kurti ka thënë se, për tre vjet, u ka shpërndarë bizneseve 1.3 miliard euro në formë të granteve dhe programeve të tjera, për të forcuar konkurrencën e tyre në tregjet vendore e ndërkombëtare.
Por, bilanci tregtar nuk është përmirësuar asnjëherë. Kosova çdo vit importon mesatarisht 5 miliardë euro mallra, nisur nga qepët, domatet e mollët deri te materialet ndërtimore, ndërsa eksporton në vlerën e më pak se 1 miliard eurove, kryesisht produkte të metalit dhe plastikës.Ramiz Gashi prej vitesh udhëheq kompani, e cila merret me prodhimin e ngjyrave dhe të fasadave. Me mbi 40 të punësuar, ai thotë se kompania ka arritur të eksportojë në 11 vende të botës, përfshirë Gjermaninë, Francën, Britaninë e Qipron - të gjitha me forcat e veta.
Gashi tregon se biznesi i tij, sa herë që bie shi, rrethohet nga uji, për shkak të infrastrukturës së dobët të kanalizimit përreth. Ky problem, sipas tij, e pengon punën e biznesit dhe do të duhej të zgjidhej me urgjencë.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se cilado parti që krijon Qeverinë, e ka mundësinë t’i realizojë premtimet ndaj bizneseve, nëse do që t’i trajtojë ato me seriozitet.
“Vendim i parë i Qeverisë do të duhej të ishte përcaktimi i sektorëve konkurrues të Kosovës dhe të përqendrohet tek ata, t’i mbështesë, t’i subvencionojë, të marrë masa, qoftë administrative, qoftë në kuptimin e politikave fiskale apo të normave të interesit, në mënyrë që bizneset të prodhojnë sa më shumë, të eksportojnë sa më shumë dhe ta zbresin importin që e kemi kaq të lartë”, thotë Rafuna për Exposenë.
Në mënyrë konkrete, ai numëron edhe tre hapa: reformën e Tatimit të Vlerës së Shtuar, lirimin e më shumë lëndëve të para dhe diplomacinë ekonomike. Rritja e prodhimit, e rrjedhimisht eksportit, pastaj është e garantuar.
Nga kopshtet e huaja në tryezat e kosovarëve
Lekë Musa, ekspert i ekonomisë dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se Kosova e ka të pamundur që ta zhvillojë secilën industri, por janë disa, si teknologjia informative, industria e drurit apo e frutave, që mund të shpërthejnë në tregjet e jashtme.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2023 tregojnë se vendi i ka pasur 68.390 biznese aktive, në krahasim me 81.692 sa i ka pasur në vitin 2022.
Me popullsi relativisht të re, me tokë të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme, me burime ujore e minerare, Kosova 1.6 milionëshe ka shpresë... por kjo shpresë merr formë vetëm kur qeveritë t’i zëvendësojnë premtimet me veprime - mundësisht përpara ciklit të ardhshëm zgjedhor.