“Edukimi për të Gjithë ”- People in Need prezanton vlerësimin përfundimtar të projektit për gjashtë komunat përfituese

Në Prishtinë, Gjilan, Graçanicë, Lipjan, Fushë Kosovë e Obiliq për dy vjet e gjysmë është implementuar projekti “Edukimi për të Gjithë” nga People in Need dhe dy organizata partnere Autizmi Flet dhe The Ideas Partnership, i cili ka pasur për qëllim përmbushjen e të drejtave arsimore të fëmijëve dhe adoleshentëve me nevoja të veçanta dhe fëmijëve nga  komunitetet e cenueshme në Kosovë.

Menaxherja e projektit Njomza Emini ka prezantuar të dhënat e vlerësimit të këtij projekti të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke.

“Objektiva kryesore e këtij projekti ka qenë përmbushja e të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe adoleshentëve si dhe të komuniteteve të cenueshme…Qëllimi i vlerësimit ka qenë të vlerësoj impaktin apo ndikimin dhe qëndrueshmërinë e ndërhyrjes së projektit, si dhe të ofroj rekomandime për palët e interesuara në të ardhmen. Vlerësimi ka përfshirë të gjithë komponentët e projektit dhe me fokus ka qenë ndikimi i arritjeve dhe mësimet e dala prej këtij projekti”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se 56 praktikantë kanë ofruar shërbime psikologjike, logopedike, pedagogjike si dhe asistence të mësimdhënësve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët nga komunitete e cenueshme. Prindërit i kanë vlerësuar këto shërbime, ku 91 për qind e tyre e shohin punën e praktikantëve si kontribut për një edukim më të mirë për fëmijët e tyre.

“Qysh në fillim të projektit e kemi bërë ngritjen e kapaciteteve të dy organizatave tona lokale, ku kemi ofruar trajnim për trajnerët për Edukim Gjithëpërfshirës të cilët janë certifikuar për të ofruar trajnime për mësimdhënës. Trajnerët e trajnuar kanë ofruar trajnime për Edukim Gjithëpërfshirës në tetë shkolla përfituese, përkatësisht gjashtë komuna dhe në total 259 mësimdhënës i kemi trajnuar. Afërsisht 70 për qind e mësimdhënësve vlerësuan pesë modulet e trajnimit, pasi që modulet kanë përmbajtur tema që mësimdhënësit ballafaqohen me fëmijët me nevoja të veçanta. 94 për qind e mësimdhënësve e kanë rekomanduar trajnimin për mësimdhënësit e tjerë si dhe 58 për qind e mësimdhënësve i zbatojnë njohuritë që i kanë marrë gjatë trajnimit”, ka treguar ajo.


Në prezantimin e këtij projekti, udhëheqësi i Zyrës në Kosovë të People in Need, Ramadan Berisha tha se ky projekt i cili ka zgjatur 30 muaj ka pasur rol të rëndësishëm te mësimdëdhënësit, fëmijët si dhe prindërit.

“Ka qenë një projekt i cili nuk ka zgjatur edhe shumë në aspektet e limiteve kohore, por besoj që do ta shihni edhe vet se ka pasur një ndikim pozitiv gjatë këtyre 30 muajve. Një falënderim i veçantë shkon tek përpiluesit e projektit është “Autizmi flet” dhe “The Ideas Partnership”, ka thënë ai.

E udhëheqësja e divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në MAShTI, Luljeta Kabashi theksoi se kanë hartuar dokumentet që përkrahin arsimin gjithëpërfshirës.

“Përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta është një qasje shumëdimensionale, bashkimi i profesionistëve, ngritja e kapaciteteve profesionale në shkolla, si dhe me projekte të ngjajshme si “Edukimi për të Gjithë” kontribuojnë në mënyrë direkte në këtë drejtim. Fëmijët me nevoja të veçanta kërkojnë qasje individuale, është shumë e rëndësishme që qasja të jetë individuale dhe arritjet me qenë duke u bazuar në potencialin e tyre. Në vitin 2022, MAShTI e ka shpallur vitin për personat me nevoja të veçanta dhe ne jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë me krejt kapacitetet që i kemi”, u shpreh Kabashi.

Drejtori i organizatës “The Ideas Partnership”, Arbon Osmani tha se në kuadër të projektit kanë pasur të angazhuar praktikantë në Qendrat Mësimore të cilët kanë ofruar shërbime në fushat e logopedisë, psikologjisë dhe pedagogjisë. Sipas tij, praktikantët kanë dhënë kontribut të madh për fëmijët nga komunitetet e cenueshme.

Organizata “People in Need” e zbatoi këtë projekt me organizatat partnere “The Ideas Partnership” dhe “Autizmi Flet” nga janari i vitit 2020 deri në qershor të këtij viti.

Lexo edhe

Video