Edicioni i 25-të i Panairit të Librit në Tiranë

Edicioni i 25-të i Panairit të Librit në Tiranë

Është çelur në Tiranë, edicioni i 25-të i Panairit të Librit. Këtë vit ky panair do të ketë si objekt kryesor paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitet e fundit.

“Panairi i Librit është në të vërtetë një festë, një nga ato ngjarjet që është shkruar në kalendarin kulturor dhe shënjon një muaj të rëndësishëm si nëntori, që lidhet mbi të gjitha me Festat Kombëtare”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.

Ministria e Kulturës, pavarësisht emergjencave që ka pasur këto viteve të fundit, ka gjetur gjithnjë mundësinë për të mbështetur Panairin e Librit, duke e konsideruar si një vlerë, si një tryezë e madhe debati, por edhe promovimi, takimesh mes shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve me lexuesin.

Ndërkohë edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë është pjesëmarrëse në Panairin e Librit Tirana 2022, me disa botime të sajat dhe për të cilët është organizuar edhe nga një aktivitet promovues.

Një prej botimeve të ASHSH është dhe libri i Dhimitër Anagnostit “Artisti, bota, imazhi”, me bashkëautor prof. dr. Josif Papagjonin, të cilit ju bë promovimi sot, në sallën Black Box tek Universiteti i Arteve.

Një tjetër botim i akademisë është “Portreti” i Abaz Hados. Libri trajton portretin në 120 vjet histori të pikturës shqiptare, nga 1880 deri në vitin 2000.  “Balada, nga oraliteti në letërsi” i Olimbi Velaj, trajton baladën si zhanër muzikor dhe letrar.


“Shqipëria përmes syve të shtegtarëve” me autore Lida Miraj dhe “Fjalor i Shqipes së Faik Konicës” me autore Kristina Jorgaqin, janë të tjerë tituj për të cilët është kujdesur ASHSH për botimin.

Ceremonia e hapjes nisi në orën 11:00 në Hollin e Pallatit të Kongreseve, ku ishin të pranishëm botues, shkrimtarë, ministrja Kushi e Margariti, kryebashkiaku Veliaj si dhe një numër i madh vizitorësh. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.

Në këtë panair janë gjithsej 97 stenda ku marrin pjesë 100 shtëpi botuese. Ashtu si vitin e kaluar, do të ketë një kënd dedikuar intervistave, i njohur si “Sofaja e librit”. Programi i “Sofasë” do të presë çdo ditë njerëz të librit, shkrimtarë, përkthyes, botues, ilustrues, redaktorë etj. Intervistat e tyre do të transmetohen online.

Një hapësirë e veçantë u është rezervuar edhe trevave shqipfolëse. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, si stendë më vete, dhe me “Dukagjinin”. Secila ka marrëveshje me shtëpi të ndryshme botuese në Kosovë.

Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. “Logos” është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës, por vijnë edhe pak tituj të botuar në Tuz. Tuzi pritet të jetë i pranishëm me autobusë lexuesish që vijnë në mënyrë të organizuar dhe do të kenë edhe takime për librin shqip.

Në panair do të ketë edhe një shtëpi botuese italiane. Ajo është “Besa Muçi”, e cila kryesisht ka në fokus botimin e letërsisë shqipe në italisht. Që në hapje të panairit është vënë re një numër i madh vizitorësh të vegjël. Të tjera vizita të organizuara fëmijësh priten ditët në vazhdim, edhe nga trojet shqipfolëse përtej kufirit. Panairi i Librit 2022 do të qëndrojë i hapur 4 ditët për vizitorët në Pallatin e Kongreseve.

Lexo edhe

Video