Edhe rreth 150 minatorë të tjerë ngujohen në “Trepçë”

Mbi 80 minatorë të ndërrimit të dytë mbrëmë janë ngujuar në horizontin e 10-të të Minierës së “Trepçës” në Stantërg.

E sot atyre iu janë bashkuar edhe mbi 150 minatorët e ndërrimit të parë e të cilët do të qëndrojnë të ngujuar aty derisa të marrin pagat e muajit tetor. Kështu bëri të ditur për KosovaPress kryetari i Sindikatës së Punëtoreve të “Trepçës”, Gani Osmani.

Osmani tregon se deri më tani minatorët e ngujuar nuk i ka kontaktuar askush menaxhmenti por as edhe Qeveria.

“Dje prej ndërrimit të dytë nuk ka vazhduar dhe kanë hyrë gjithsecili në horizontet  ku punojnë. Kam qenë në horizontin e 10 sepse aty është edhe si qendër dhe minatorët kanë thënë se deri sa t’iu bëhet pagesa nuk kanë me punu e as nuk do të dalin. Tash po presim përgjigje dhe se deri tash ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga askush.  Askush nuk na ka konaku, ne vetëm përmes mjeteve të informimit i kemi njoftuar. Mbrëmë janë ngujuar me shumë se 80 punëtorë, e tash iu janë bashkuar edhe ndërrimi i parë ku janë 150. Tash numrin e saktë nuk e di por diku afër 200 minatorë janë të ngujuar në minierë”, tha Osmani për KosovaPress.

Osmani thotë se minatorët do të qëndrojnë të ngujuar derisa të pranojnë mesazhin për ekzekutimin e pagës.


“Është vetëm një kërkesë, na qetë pagat, vjen mesazhi që paga ka dalë dhe ne menjëherë ja nisim me punu”, potencon Osmani.

Ndërkohë Osmani tregoi edhe për gjendjen e minatorëve që qëndruan përgjatë gjithë natës të ngujuar në minierë.

“Këtu në minierë nëse rrinë mbi 8 orë është ngarkesë dhe tash një numër i punëtorëve janë mbi moshën 60 vjeçare dhe shëndetin e kanë jo të mirë dhe është një stres kur nuk përgjigjet askush dhe nuk jep asnjë lajm të mirë dhe aty shkaktohet një nervozë dhe kjo është e mundimshme. Por këta kanë vendos dhe ne do t’i përkrahim sepse kanë të drejtën me kërku pagën”, tregoi ai.

Kurse të premten që lamë pas (13.11.2020) kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Bordit të Përkohshëm të “Trepçës”, mbajti një konferencë për media, në të cilën bëri të ditur ndarjen e 1.1 milion eurove për ndërmarrjen “Trepça”.

“Qeveria do të ndajë 1.1 milion euro për ndërmarrjen Trepça për të tejkaluar situatën nëpër të cilën po kalon. Bordi do të ofrojë garancat e veta përmes planit të biznesit që duhet të dorëzohet shpejt në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit për mënyrën e menaxhimit të kompanisë në të ardhmen dhe në këtë plan biznesi do të jenë veprimet konkrete që do të ndërmerren nga bordi i kompanisë karshi menaxhmentit  të kompanisë për t’u siguruar që kompania nuk vjen prapë në këtë situatë. Mua më vjen mirë për diskutimin që e kishim të drejtpërdrejtë po besoj dhe përmbajtësor në interesin e kompanisë. Besoj që, kjo ndihmë që Qeveria jep me taksat e qytetarëve për minatorët dhe për ndërmarrjen Trepça, do të mundësojë që të tejkalojë dhe të mos vijmë më në situatë të tillë. Dhe, në plot ndërmarrje të tjera kemi probleme pak a shumë të ngjashme, po për shkak të specifikave që ka ndërmarrja Trepça, me insistimin e ministrit e kemi trajtuar pak më ndryshe këtë çështje dhe bashkë me ministrin e Financave besoj që është gjetur zgjidhja më e mirë e mundshme në rrethanat në të cilat jemi. Por, këto duhet thënë qartë që nuk janë para pa asnjë kushtëzim nga buxheti i shtetit për Trepçën,  por kushtëzohen nga plani i Biznesit të kompanisë dhe nga masat konkrete që duhet t’i marrë Bordi karshi ristrukturimit të plotë që duhet të ndodhë në këtë ndërmarrje menjëherë, jo më vonë, por menjëherë”, deklaroi Hoti në këtë konferencë.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.