“Edhe punëtorët e privatit janë në krizë”, kritikohet vendimi për shtesa vetëm për punëtorët e sektorit publik

“Edhe punëtorët e privatit janë në krizë”, kritikohet vendimi për shtesa vetëm për punëtorët e sektorit publik

Qeveria mori vendim që për punëtorët e sektorit publik të ketë edhe për këtë muaj (janar) shtesë në vlerë prej 50 eurosh, por sërish heshtje për punëtorët e sektorit privat. Ky vendim “për dikë nënë e për dikë njerkë” konsiderohet i padrejtë nga komuniteti i biznesit privat. Të njëjtit, kërkojnë që ekzekutivi të rishikojë këto vendime dhe të simulohen të gjithë punonjësit pa përjashtim.

Kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSPK), Jusuf Azemi, thotë për KosovaPress se qeveria është dashur të kujdeset për punëtorët e sektorit privat, pasi sipas tij, pagat në këtë sektor janë shumë më të vogla krahasuar me sektorin publik.

Sipas tij, qeveria nuk po i përmirëson gabimet që i ka bërë edhe në të kalurën kur ka ndihmuar vetëm punëtorët e sektorit publik.

“Në rend të parë është dashtë që të stimulohen punëtoret e sektorit privat të vendit, për arsyeje se pagat në sektorin privat janë shumë më të vogla, numri i punëtoreve që paguhen për arkën e shtetit është rreth katërfish më i madh sesa i punëtoreve të sektorit publik, dhe kur dihet që punëtoret e sektorit privat punojnë punë shumë më të rënda, dhe punëtoret e sektorit publik janë më të priveligjuar mendojmë se është bërë një vendim jashtëzakonisht i paqëndrueshëm…Po ashtu në rastin e parë kur u ndan kemi menduar pas presioneve, pas njoftimeve që ne jemi shumë më keq se ata, kemi menduar që së paku do të del një moment dhe kryeministri do të thotë kërkojmë falje”, thotë Azemi.

Sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Shyqiri Bytyqi, deklaron se vendimi i qeverisë për shtesa vetëm për punëtorët e sektorit publik është i padrejtë.


Ai shton se në krizë janë të gjithë punëtorët pa dallim. Sipas Bytyqit, duhet domosdoshmërisht të rishqyrtohen këto vendime nga ana e qeverisë në mënyrë që të gjithë sektorët të stimulohen.

“Një vendim i qeverisë në situatën që jemi aktualisht do të ishte shumë pozitiv, për shkak të krizave të vazhdueshme që po vazhdojnë të jenë, po i godasin të gjithë sektorët, si publik dhe privat. Mirëpo, vendimi aktual që po vazhdon me të njëjtën metodë që të stimulohet vetëm pjesa e sektorit publik, nuk është e drejtë. Ky arsyetimi i yni i ka argumentet e fuqishme, vendimi i qeverisë e ka një bazë për shkak të inflacionit të vazhdueshëm, por konsiderojmë se inflacioni nuk është vetëm në sektorin publik, është edhe në sektorin privat, aq më shumë kur dihet tashmë nga të dhënat statistikore, ne e kemi që paga mesatare në Kosovë është shumë më e lartë në sektorin publik sesa në atë privat dhe një diskriminim i tillë është i paarsyeshëm dhe joligjor. Duhet domosdoshmërisht të rishqyrtohen këto vendime nga ana e qeverisë në mënyrë që të gjithë sektorët të stimulohen”, thotë Bytyqi.

Edhe sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica konsideron se gjendja e puntorëve në këtë sektor është shumë më e rëndë se ajo në sektorin publik.

“Ne si pjestarë avokues për mbrojtjen e të drejtave në sektorin e gastronomisë kemi potencuar qartë se gjendja e puntorëve të këtij sektori është jashtëzakonisht e pakrahasueshme me gjendjen e puntorëve të sektorit publik… Ne po ndeshemi çdo ditë me gjëndje të rëndë ekonomike dhe kjo po e bënë çdo ditë e më vështirë likuidimin e shpenzimeve operative, në këtë rast edhe për pagesat e puntorëve… Po e shohim se nuk ka përkrahje, pra, vet bizneset duhet të përgjigjjen sa i përket problemeve që shkaktohen nga rrethanat makroekonomike që reflektohen në sektorin e gastronomisë”, thotë Vranica.

Kujtojmë, se shtesat nga 50 euro për sektorin publik pati nisur në muajin shtator 2022. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, arsyetoi vendimin për ndarje të shtesës prej 50 euro për sektorët publik dhe mbështetjen prej 60 euro për punëtorët shëndetësor, duke thënë se kjo po bëhet për shkak që Ligji i pagave ende nuk ka hyrë ne fuqi. /E.Krasniqi/

Lexo edhe

Video