“Edhe n’shtet, edhe n’familje”, ishte slogani i edicionit të gjashtë të javës së krenarisë.
Nga sheshi “Skënderbeu” në drejtim të Katedrales e pastaj në Pallatin të Rinisë, me qindra qytetarë kanë marshuar në përkrahje të këtij komuniteti.
Po ashtu, organizatorët e marshit kanë kritikuar qeverinë, meqë sipas tyre, janë në listën e fundit të prioriteteve. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë ka deklaruar se do të procedojnë sërish Kodin Civil, në organin më të lartë legjislativ.
Shemsije Çerkini thotë se është krenare me të birin e saj që i takon komunitetit LGBTI. Ajo pas përfundimit të marshit ka mbajtur fjalimin para masës, duke kërkuar që shtëpia të jetë vend i pranimit dhe dashurisë.
Organizatori i kësaj parade, Lend Mustafa tha se familja e shteti nuk po përkrahin komunitetin.
“Mesazhi iu drejtohet dy institucioneve kryesore bazë të një fëmije dhe pjesëtari të komunitetit LGBTI, janë shteti edhe familja. Janë institucionet që më së shumti po e diskriminojnë komunitetin tonë... Ne tashmë e kemi kuptuar se komuniteti LGBTI gjithmonë është në listën e fundit të prioriteteve të shtetit tonë të Kosovës. Edhe kësaj here kemi qenë të dëshpëruar me vendimet që kanë dashur të merren sa i përket Kodit Civil, për shkak se nuk janë të drejta që na takojnë neve. Janë të drejta që po donë qeveria të na jap, ato nuk garantojnë asgjë për komunitetin LGBTI”, ka deklaruar ai.
“Ne jemi këtu për të treguar mbështetjen për të drejtat e komunitetit LGBTI+, sepse besojmë fuqimisht që të drejtat e komunitetit LGBTI+ janë të drejta të njeriut. Por, shpresoj që unë nuk do të bëhem storia e sotme, rrëfimi i sotëm, por do t’i shohim kolegët e mi, pjesëtarë të shoqërisë civile, korpusit diplomatik dhe qytetarët e Kosovës, të cilët janë këtu për të marshuar këtu dhe për të siguruar që gjithë qytetarët e popullit të Kosovës, pa marrë parasysh veçoritë e tyre të ndryshme, përfshirë edhe orientimin seksual që i gëzojnë të drejtat e tyre. Do ta them edhe një herë që të drejtat e komunitetit LGBTI+, janë po ashtu të drejta të njeriut”, ka thënë ai.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se sot po festojnë të drejtat për personat e komunitetit LGBTI.
Në një deklaratë për KosovaPress, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu u shpreh se deri më tani institucionet nuk kanë respektuar të drejtat e komunitetit.
“Në kohën kur është dashur që të tregojmë që jemi për respektimin e të drejtave të njeriut dhe këto nuk janë vetëm deklarative, por edhe me veprime konkrete me mundësinë për të votuar kodin civil, në këtë rast deputetët e opozitës sikurse edhe disa nga GP i LVV-së, nuk dhanë votën për një dokument që ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Unë mund të kuptoj mendimet ndryshe për çështje të ndryshme, por konsideroj që është roli i deputetit që duhet të punojë në emancipim të shoqërisë. Ai duhet të jetë shembull se si respekton të drejtat e njeriut”, tha ajo.
“Ne do ta procedojmë sërish draftin e Kodit Civil dhe jemi të interesuar të bashkëpunojmë me deputetët që kanë një mendim tjetër që të shohim se cila është rruga për ta shtyrë përpara. Por që të drejtat e njeriut nuk mund të negociohen”, ka thënë ajo.
Gjatë marshimit, është evidentuar një rast kur në drejtim të qytetarëve është hedhur një mjet piroteknik. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se qëllimi i vizitës është që të tregojnë mbështetjen për të grupet që jetojnë në Kosovë.
Më tej, ai tha se nuk ka shifra se sa ka qenë numri i pjesëmarrësve në “Paradën e Krenarisë”.
Në marshin e gjashtë në përkrahje të këtij komuniteti kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të akredituar në vendin tonë, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, ish-presidentja Atifete Jahjaga, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.