E konfirmon Prokuroria: Tre të arrestuar për vrasjen në Gllogjan

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi ditë më parë në Gllogjan të Deçan. Arrestimi është bërë me vendimin e prokurores së rastit, e cila së shpejt do të kërkoi edhe një muaj paraburgim.  

Tre të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e shoferit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj në Gllogjan.


Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj tha se janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen që ka ndodhur para disa ditëve në Gllogjan.

“Me vendimin e prokurores së çështjes janë arrestuar tre persona me dyshimin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rënd. Prokurorja e çështjes ka lëshuar vendimin 48 orë për ndalim. Ndërsa është në përgatitje për dorëzimin e kërkesës te gjyqtari i procedurës paraprake për zbatimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale. Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, në këtë konferencë për shtyp nuk mund të japim informata të tjera të cilat do ta dëmtonin procesin e hetimeve. Atë që ne zotohemi si prokurori, është që edhe pas arrestimit të tyre do të vazhdojmë me intensitet të shtuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për ndriçimin e kësaj çështje penale deri në fund”, tha ai.

Ndërkohë, flitet se motivet e këtij sulmi lidhen me një rast të vetëvrasjes të një vajze nga Gllogjani, e ku dyshohet se është i përfshirë shoferi i autobusit, Gani Gjokaj.

Lexo edhe

Video