E drejta e Votrës?!

E drejta e Votrës?!

(Bashkëpronarët e truallit)

1.

Romët festojnë Ditën historike të ndërgjegjësimit mbi qenjen dhe mbi gjendjen: qenien e veçantë etnike dhe gjendjen robnisë kronike.

Kudo rruzullimit. Veçanërisht në skutat e errta të tij.

Në fakt, në gjeografinë e demokracisë ata do të gëzojnë të drejta qytetare, dmth. njerëzore. Por përherë jashtë përfaqësimit politik e kombëtar në piramidën institucionale. Gjithmomë e gjithkund.

Dhe përse?

Sepse s’kanë tapinë, të drejtën e truallit. Të një grime Dhéu që do i bënte zotër të rrezeve, shirave e të mbjellave të tij…Duke qenë të patruall, janë, ndaj, të pashtet e atdhe. Që këtej, histori e tyre është një rrëfim i mërzitshëm i nënshtrimit dhe përshtatjes. E aspak histori e rebelimeve dhe luftërave për lirinë tokës atnore…

2.

Mirëpo një yrt i ngushtë diku në Ballkan, i mbushur vetë me vuajtje, varfëri e varre flijimtarësh, do bëhej Ëma, nukleusi përlindës i tyre.

I vetmi në Europë!

Shqiptarët, këtu e dhjetra vite më parë, do ndanin me ta atë pak liri që kishin fituar ndër vite. Dhe atij autonomiteti të atëhershëm subjektor, i paravinte një rezistencë epike e shqiptarëve, vetëm e tyre: dramë e lotëve, dhimbjes, burgjeve e gjakut.


Por s’mund të ndanin më shumë – sepse ç’mund ti jepte robi robit?

Duke qenë të patruall, romët janë identifikuar shpesh me vendet, fetë, kulturat, gjuhët dhe, madje popujt e shtetet ku jetojnë. Ose, më saktë, me konjukturat e Fuqisë, duke përfunduar ashtu në anën e kundërt të lirisë.

Megjithatë shqiptarët në Kosovë, legjislaturat para e pas luftës i siguruan romëve (dërgatë e të cilëve në Rambuje, 1999, bënte ahëng banal e cinik për të sfiduar shqiptarët e lodhur nga pushka dhe fraku i zi) statusin e kategorisë kushtetuese.

E pra: të drejtën e organizimit politik nacional, përfaqësimin e rezervuar parlamentar, flamurin, kultivimin e gjuhës dhe traditave, kanalin amtar në Televizionin shtetëror. A s’është kjo një legjislaturë dhe praktikë e pangjashme në botë?

3.

E drejta e fituar (ose dhënë) nuk merret dot sërish. Ky rrafsh të drejtash, prandaj, s’mund të abrogohet kurrë. Sepse do jetë kujtesa e lirisë që nuk lejon greminosjen e fundme të tyre.

Duke i garantuar ato me Ligj e Frymë, Kosova do t’i jepte komunitetit rom të drejtën e Votrës dhe bashkëpronësinë e Truallit!

Veçse, anise pleksen, për një popull me truall është shumë më e vështirë, e rrjedhimisht  më vitale përpjekja titanike për të drejtat kombëtare sesa, thjeshtë, qytetare.

Me të parat mbahesh në këmbë qoftë dhe duke pritur një kohë të re, kurse me të dytat, vetëm me to, tretesh e shfytyrohesh në korpusin e kombit hegjemon.

Ndërkaq, një mbetje racizmi rigjid ruhet akoma ndër shtigje të poshtme ku promovohet ekzistenca e tyre.

Por tani davaritja e kësaj tymnaje duhet të jetë betejë e tyre.

Emancipimi. Iluminimi. Krijimi i elitave. Restaurimi i shpirtit dhe kulturës së jetës. Ja arktrarët e ringjalljes dhe themelimit identitar. Kështu siç janë, ata i mbajnë peng të errësirës. E, gati natyrshëm, të enës së vjetër të përceptimit ndalimtar të tyre..!

Lexo edhe

Video