Dyshohet se fshehu armën e Sali Sekiraqës, gjykata merr vendim për një person
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën një muaj paraburgim ndaj të pandehurit V.B., pasi në bashkëkryerje ka kryer veprën penale manipulim me prova dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve gjatë përleshjes mes familjeve Sekiraqa dhe Capave më 1 shtator në kryeqytet.
Ekziston dyshimi i bazuar se më 1 shtator, kur u plagosën pesë persona dhe një mbeti i vrarë, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, V.B. merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit Sali Sekiraqës dhe tjetra dyshohet të jetë e të pandehurit F.A, me ç’rast shkon në tarracën e lokalit në drejtim të banakut ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal, ku vërehet se në duar nuk ka më asgjë.
Me këto veprime i pandehuri në bashkëkryerje ka kryer veprën penale manipulim me prova, mbajtje në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, të cilat i ka mbajtur në posedim dhe kontroll në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale dhe me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.
Gjykata vlerësoi se e caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate, pasi nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij dhe mund të ndikojë në dëshmitarë, si dhe të kryejë vepër penale tjetër penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.