Të paktën dy persona u vranë në një shkollë në Sllovakinë lindore kur një nxënës 18-vjeçar kreu një sulm me thikë, njoftoi sot televizioni TA3.
Sulmi ndodhi në qytetin Spishska Stara Ves. Sipas Jan Kurnava, kryetari i bashkisë, zëvendësdrejtori dhe një student janë vrarë. Sipas informacioneve të tjera që shfaqen në mediat sllovake një person është dërguar me plagë në spital.
Sulmuesi është arrestuar. Pas sulmit ai ka tentuar të arratiset, por policia e ka gjetur një orë më vonë falë gjurmëve në borë.
Sipas mediave sllovake, autori ishte planifikuar të jepte provime sot pas transferimit në këtë shkollë nga një shkollë e mesme në Kezmarok.
Informacionet e disponueshme publikisht tregojnë se sulmuesi është një nxënës jashtëzakonisht i suksesshëm, i cili përveç notave të shkëlqyera ka përfaqësuar shkollën në olimpiada dijeje dhe gara sportive. Nuk dihet ende pse e ka kryer sulmin.
Spishska Stara Ves është një qytet me mbi 2000 banorë në kufirin me Poloninë, 376 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislava. Dhuna e rëndë është e rrallë në Sllovaki, një vend i Evropës Qendrore me 5.4 milionë banorë. Vendi u trondit majin e kaluar kur kryeministri pro-rus Robert Fico u qëllua në një atentat.