Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli është shprehur i habitur për ftesën për të dëshmuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.
Dugolli tha se pozita e tij në atë kohë si ministër i Tregtisë dhe Industrisë nuk ka të bëjë asgjë me sektorin e energjisë.
Por, kryetari i Komisionit, Hajdar Beqa dha arsyet për ftesën e tij për Dugollin.
“Ne kemi bërë ftesa në bazë të inicimit nga 41 deputetë për periudhën 2006-2022. Në bazë të dokumenteve ju kemi ftuar zotëri Dugolli, të cilat i kemi marrë nga akterët, ka qenë edhe emri i juaj, për arsye se në kohën për të cilën flasim, në bazë të informatave që i kemi ne, keni qenë anëtar i Bordit të AKM-së në cilësinë e ministrit”, tha Beqa.
Por, anëtari i Komisionit Armend Muja ka pyetur Dugollin për procesin e privatizimit dhe statusin e privilegjuar me tarifa të energjisë elektrike për kompaninë “Alferon”.
“Më datën 16 mars 2006 është mbajtur mbledhja e qeverisë, dhe është diskutuar çështja e privatizimit të “Alferon” dhe statusi i privilegjuar për energji elektrike dhe në atë mbledhje keni diskutuar edhe ju, po ju citoj: “Është me rëndësi që në kontratën bazë për shitblerje të “Alferon” dihet privatizimi i saj si ka ndodhur, edhe kur është marrë vendimi në AKM ka pasur mbështetje paraprake të Qeverisë së Kosovës”, ky është diskutimi që është bërë. A ju kujtohet kjo bisedë”, pyeti Muja.
“Ti a po më pyet për privatizim a për energji? Për privatizim e kam sqaruar në një komision tjetër. Nëse doni flas prapë. Tash e kam të qartë, diskutimet që janë bërë në opinion duke përfshirë edhe mediat, e kanë shfaqur këtë problem se si ka mundësi një kompani të furnizohet me energji elektrike kaq lirë në raport me amvisëritë. Për këtë i kam bërë pyetje edhe Shtyllës IV të UNMIK-ut, të cilët kanë qenë përgjegjës lidhur me këtë proces. Është thënë që konsumator i privilegjuar për faktin se kompania ka qenë në gjendje të paguajë para kohe atë vlerën që ka pasur interes KEK-u të merr para. Është thënë po ashtu se askund në botë konsumatorët e amvisërisë dhe industrisë nuk janë të njëjtë dhe çdo vend industria favorizohet me çmime”, tha ai.
Në këtë Komision, sot ka dëshmuar edhe ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku dhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri.