Driton Selmanaj tregoi pse abstenoi kundër referendumit të Serbisë në Kosovë

Driton Selmanaj tregoi pse abstenoi kundër referendumit të Serbisë në Kosovë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka dhënë tri arsyet se pse ka abstenuar në momentin që votohej kundër organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë.

Selmanaj ka shkruar në Facebook se sot vendosa të abstenoj në votimin e Rezolutës së propozuar nga Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga ai.

Ai ka shkruar se ishin tri arsye që motivuan abstenimin tim.

“Arsyeja e parë:

Seanca e jashtëzakonshme ishte e panevojshme, e pakuptimtë dhe pa fije substance. Asnjëherë nuk ka nevojë që Kuvendi të mblidhet për t’ia kujtuar dhe rikujtuar detyrat kushtetuese që kanë institucionet tjera.Detyrat kushtetuese për Kryeministrin, Presidentin dhe Kuvendin janë të shkruara dhe të përcaktuara me Kushtetutë, ato duhet zbatohen me detyrim nga të gjithë, pa pasur nevojë për rikujtim ndaj njëri tjetrit.


Arsyeja e dytë:

Kisha bindjen që kjo seancë ishte thirrur nga Albin Kurti për ta shpërnda një pjesë të përgjegjësisë vendimmarrëse nga pazotësia e tij për të marrë vendime në zbatim të detyrimeve kushtetuese. Mungesa e integritetit të tij për të marrë vendime, futi në cirkun e tij krejt në mënyrë të pakuptimtë Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Arsyeja e tretë:

Mënyra e menaxhimit të kësaj situate në relacion me partnerët tanë strategjikë me theks të veçantë me SHBA-të.  Është hera e parë në historinë e re të Kosovës, që të gjitha vendet e QUINT-it të dalin kundër nesh. Kjo tregon që Albin Kurti me njerëzit e tij ka cenuar rëndë komunikimin dhe bashkëpunimin me ta. Pasojat e këtij mos bashkëpunimi do i shohim në ditët dhe muajt në vijim. Kam bindjen që ky është vetëm fillimi”, ka shkruar ai, duke shtuar se sovraniteti dhe integriteti i Kosovës duhet të mbrohen me çdo kusht nga të gjithë.

“Detyrimet kushtetuese dhe ligjore duhet të zbatohen pa asnjë mëdyshje. Marrëdhëniet e mira me aleatët tanë duhet të ruhen si sytë e ballit”, ka shkruar ai.

Lexo edhe

Video