Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka kritikuar sot qeverinë për gjendjen në shëndetësi, duke potencuar se Ministria e Shëndetësisë me qeverisjen Kurti ka qenë ministri e eksperimenteve.
Ai, në një konferencë për media, ka potencuar se shëndetësia nuk menaxhohet me ushtrues të detyrave.
Dreshaj është shprehur se pakënaqësitë në shëndetësi deri më tani janë të shumta dhe ka nënvizuar se është penguese në organizim të punës dhe diskrimunese mospagesa e kujdestarive dhe mosstimulimi për rrezikshmëri.
Ai ka potencuar se si AAK qeverisjes Kurti i është tërhequr vërejtja si në Parlament, ashtu edhe në Komisione “për këtë diskriminim”, i cili dje ka rezultuar me protestën e specializantëve.
Ndër të tjera, Dreshaj ka theksuar se si AAK, qeverisë Kurti për të dalë nga situata i rekomandojnë që shëndetësinë ta shndërrojë në prioritet.
“Qeverisjes Kurti i rekomandojmë që për të dalë nga kjo situatë duhet: shëndetësinë ta shndërrojë në prioritet, duhet të fillojë reformën rrënjësore të sistemit shëndetësor, duhet që me urgjencë të bëhet pagesa e kujdestarive…e njëjta vlen edhe pë shërbimin administrativ në mbarë vendin. Urgjent të plotësohet dhe në plotëni për 360 ditë të vitit lisat esenciale dhe qind për qind të furnizimit dhe urgjent duhet të bëhet zvogëlimi i listës së pritjes”, është shprehur Dreshaj