“Drejtësi për Lear Kurtin”/ Qytetarët mblidhen të protestojnë para Ministrisë së Brendshme

“Drejtësi për Lear Kurtin”/ Qytetarët mblidhen të protestojnë para Ministrisë së Brendshme

Disa qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së kreut të Partisë Demokratike Sali Berishës dhe janë mbledhur këtë mbrëmje para Ministrisë së Brendshme, për të protestuar për vdekjen e 32-vjeçarit Laer Kurti.

Protesta po mbahet nën moton “Learin e vrau policia”, ndërsa të pranishëm janë edhe policët, të cilët kanë krijuar kordon për të parandaluar tensionimin e situatës.

Shumë qytetarë po sulmojnë policinë para Ministrisë së Brendshme duke hedhur miell e domate, por deri më tani policia nuk ka shoqëruar asnjë qytetar.

Edhe një ditë më parë, dhjetëra qytetarë protestuan për vdekjen të riut Lear Kurti.


Nën moton “Drejtësi për Lear Kurtin”, qytetarët ndezën qirinj para ambienteve të Ministrisë së Brendshme dhe më pas u nisën drejt Kryeministrisë.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 23:00, Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte por 32 vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap. Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”. Në njoftimin paraprak Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se gjatë shoqërimit 32-vjeçari ka shfaqur problem shëndetësore dhe është kërkuar ndihma e urgjencës. Burime nga uniformat blu thanë se I riu ka pasur dridhje trupi dhe të vjella Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej si u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë.

Sipas njoftimit, nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara në momentin e prangosjes./tch

Video