Dorëzohet kallëzim penal ndaj Bozhidar Deliq

Tri kallëzime penale për krime lufte janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale në Prishtinë. Shoqata Krimet e Luftës në Gjakovë ka paraqitur kallëzim penal kundër komandantit të Brigadës 549 të Motorizuar, Bozhidar Deliç. Ky i fundit tashmë është nënkryetar i Parlamentit të Serbisë, për çka shoqata nga Gjakova ka mbledhur dëshmi e fakte për krimet e kryera nga vet ai.

Udhëheqësja e shoqatës, Shkëndije Hoda ka njoftuar se në Prokurorinë Speciale kanë dorëzuar tri kallëzime penale.

“Janë tri kallëzime penale bashkangjitur me disa dokumentacione faktike, një lloj ditari të operimit të brigadës 549 të motorizuar nën komandën e Bozhidar Deliç. Ne e dorëzuam edhe pse procedurat paksa kanë ndryshuar, pak kemi qenë të pakënaqur edhe pse kemi marrë fjalë të mira, ne do të kthehemi të marrim edhe konfirmimin për pranimin e këtij materiali”, ka thënë ajo.

Këto dokumente të sjella në Prokurorinë Speciale për përfaqësuesin e shoqatës, Gjokë Sokoli janë dëshmi për krimet dhe gjenocidin në Kosovë.

“Këto dokumente e vërtetojnë, se jo që vetëm civilët, policia serbe ka bërë krime, por edhe ushtria. Dhe ky ka qenë udhëheqës i ushtrisë. Kemi dëshmi se njerëzit e kanë njohur këtë person edhe kur i ka ndarë njerëzit nga kolona edhe që ka marrë pjesë në masakrën e Mejës, në qytetin e Gjakovës, e Krushës. Kemi të dhëna të ,jaftueshme për këtë kriminel të luftës”, ka thënë ai.


Më tej, ai ka theksuar se në Prokurorinë Speciale kanë dorëzuar me qindra dëshmi që faktojnë krimet që ka kryer si civil, tashmë nënkryetari i Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliçi.

“Janë me qindra dëshmi, dëshmi ka të mjaftueshme. Kam besim që ky person do të bie në dorë të Hagës…ky person ka qenë i një fshati të Gjakovës, ky u sjell në mënyrë civile. Edhe tash njerëzit e kanë njohur dhe ka ra në sy të popullit. Është turpi i botës që krimineli të zgjedhet nënkryetar i Kuvendit”, ka thënë ai.

Ai tha se shteti i Kosovës duhet të apelojë botën për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë.

Po ashtu, ai ka theksuar se është numër i madh i personave të cilët sjellin dëshmi kundër nënkryetarit të Serbisë.

“Ka njerëz vullnetar që janë paraqitur, që e kanë njohur. Ai nuk ka qenë me rroba ushtarake por civile, që i kanë ndarë njerëzit nga kolona dhe i kanë pushkatuar… Kam dëshmi se u plagos i ka gjashtë plagë, prej granatave, prej armëve , prej gjuajtjeve të ushtrisë. Sot është personi invalid, i ka gjashtë plagë. Ka fakte të gjalla që i kanë marrë njerëzit”, ka shtuar ai.

Deri më tani, janë dorëzuar 16 kontigjente me mbi 4000 kallëzime penale për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. /Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video