Dokumentet nga periudha e Trump nuk do të publikohen

Dokumentet nga periudha e Trump nuk do të publikohen

Një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve që hetonte ndërhyrjen e dhunshme në ndërtesën e Kongresit në Kapitol Hill më 6 janar, ra dakord të shtyjë kërkesën për publikimin e qindra dokumenteve që lidhen me administratën e ish-presidentit Donald Trump, duke përmbushur kështu kërkesat e Shtëpisë së Bardhë dhe presidentit aktual Joe Biden.

Vendimi është një reagim ndaj shqetësimit të Shtëpisë së Bardhë se publikimi i të gjitha dokumenteve të administratës Trump, i cili u kërkua nga komiteti hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve, mund të rrezikojë sigurinë kombëtare dhe doktrinën ligjore të njohur si privilegj ekzekutiv, i cili mbron konfidencialitetin e disa  komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë, raporton AP.

Marrëveshja për të mos zbuluar një pjesë të dokumentacionit është shprehur në një letër të datës 16 dhjetor nga zyra juridike e Shtëpisë së Bardhë dhe shumica e tyre janë dokumente që nuk i referohen ngjarjeve të 6 janarit, por përfshihen në kërkesën për t’iu dorëzuar Dhomë së Përfaqësuesve.

Biden ka hedhur poshtë vazhdimisht përpjekjet e Trump për të përmendur “privilegjin ekzekutiv” si arsye për bllokimin e publikimit të dokumenteve që lidhen me atë ditë, por Shtëpia e Bardhë tani po bashkëpunon me komitetin kompetent në mënyrë që disa nga dokumentet të mos zbulohen.


Trump i kërkoi Gjykatës së Lartë të bllokojë Arkivin Kombëtar, vendin ku mbahen dokumentet e kohës së mandatit të tij dhe të mos i dorëzojë ato komisionit që hetonte ndërhyrjen e dhunshme në ndërtesën e Kongresit dhe ngjarjet që i paraprinë.

Dhjetëra faqe të përpiluara më 6 janar nuk i referohen sulmit në Kapitol, por dokumentet përshkruajnë përgatitjet dhe diskutimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe administrata e Biden shqetësohet se nëse këto përmbajtje arrijnë në Kongres, mund të jetë problematike për degën ekzekutive, pavarësisht se kush është presidenti i shtetit.

Në muajt e fundit, Arkivi Kombëtar i ka dërguar dokumente Shtëpisë së Bardhë dhe avokatëve të ish-presidentit në një përpjekje për të përcaktuar nëse ato përmbajnë informacione që janë të rrezikshme për t’u zbuluar, dhe Trump ka bërë vërejtje dhe shqetësime të rëndësishme për disa prej tyre.

Arkivi Kombëtar tha se të dhënat që Trump dëshiron të bllokojë përfshijnë ditarë presidencialë dhe vizitorë, kopje të fjalimeve dhe shënime në lidhje me ngjarjet e 6 janarit nga dosja e ish-shefit të shtabit të presidentit Mark Meadows, si dhe një projekt-dekret ekzekutiv lidhur me integritetin e zgjedhjes.

Lexo edhe

Video