Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni ka reaguar lidhur me emisionin “Report” të televizionit RAI3 në të cilën u kritikua marrëveshja për emigrantët Shqipëri-Itali. “Shqipëria dhe Rama u linçuan për përpjekjet për të na ndihmuar me emigrantët”, tha Meloni në Pescara gjatë konventës në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet evropiane të 8 dhe 9 qershorit, sipas medias italiane Lapresse. Meloni gjatë fjalës së saj nuk i kurseu as kritikat dhe ironitë ndaj RAI 3. “E majta propozoi ta përjashtonte nga socialistët evropianë, në vend që ta falënderonin që kishte vepruar në emër të solidaritetit evropian, ata e linçuan. Aq më tepër që e prezantuat si Telemoni, apo jo, Telemeloni? Përpiloi një raport për Shqipërinë në të cilin e portretizonte si një narkoshtet. Më ndihmoni t’i dërgojmë solidaritetin tonë Edi Ramës i cili u linçua vetëm se tentoi të ndihmonte kombin tonë”, theksoi Meloni.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si “emision të neveritshëm” reportazhin e “Report” të transmetuar në RAI 3, ku trajtohet marrëveshja e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët. Për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë, kundër dokumentarit të emisionit “Report” në RAI3, kryeministri Rama nisi një fushatë sqarimi në të gjitha mediat italiane. “Nuk ka se si të mos më lëndojë. Kur e shoh Shqipërinë të sulmuar në atë mënyrë të neveritshme nga RAI, sikur të ishte rihapur një faqe e zezë në historinë e shtypit italian, kur fjala shqiptar përdorej si sinonim për kriminelë, trafikantë, hajdutë dhe prostituta dhe vetë Shqipëria trajtohej si burim i së keqes”, tha Rama në intervistat e tij. Ndërkohë në një tjetër reagim të publikuar në X drejtuar Sigfrido Ranucci drejtuesit të emisionit “Report” të cilit i thotë se në të njëjtin televizion shqiptar të njëanshëm, vijoi në përhapjen e së njëjtave shpifje të importuara më pas në Itali nga “Report”.
Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vjet të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll. Më 21 nëntor 2023, Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi me 189 vota pro dhe 126 kundër rezolutën e mazhorancës italiane, pavarësisht kritikave të opozitës. Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë sivjet miratoi me 77 vota projektligjin “Për ratifikimin e protokollit Shqipëri-Itali për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”. /tch