DnV: Zgjedhjet lokale në frymë të qetë dhe pa incidente

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, në mbyllje të procesit të sotëm zgjedhor vlerëson se procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë, me pjesëmarrje të qytetarëve që garanton legjitimitet të procesit.

Sipas tyre gjatë ditës nuk është raportuar për ndonjë incident që do të mund ta cenonte integritetin apo kredibilitetin e zgjedhjeve.

Eugen Cakolli nga DnV tha se në zonat rurale janë vërejtur persona të paautorizuar në hyrje të qendrave të votimit.

“Zgjedhjet janë organizuar në një frymë të qetë dhe nuk janë shënuar incidente serioze  që do mund të kompromitonin integritetin apo kredibilitetin e procesit zgjedhor në mbyllje të procesit të votimit nuk janë evidentuar raste të flukseve të qytetarëve të cilët kanë qenë duke pritur në radhë duke mundësuar kështu përgatitje më të mira të komisionarëve për procesin e numërimit. Po ashtu, fatmirësisht deri më tani vëzhguesit tanë nuk kanë raportuar raste të ndërprerje të procesit të votimit në mungesë të energjisë elektrike apo çfarëdo incidenti tjetër serioz. Gjatë ditës në rastet e izoluara e sidomos në zonat rurale janë vërejtur persona të paautorizuar, të cilët kanë qëndruar në hyrje apo në afërisht të qendrave të votimi persona këta, të cilët mund të jenë parë edhe si formë e ushtrimit të presionit ndaj votuesve që kanë marr pjesë në proces. Në zonat rurale është vërejtur nivel më i ulët i respektimit të masave antiCOVID si nga ana e votuesve ashtu edhe nga ana e stafit zgjedhor”, tha Cakolli.

Sipas tij në pjesën e dytë të ditës qytetarët dhe komisionarët nuk kanë respektuar në masë të madhe masat antiCOVID, sidomos nuk kanë mbajtur maskat dhe se gjatë procesit të votimit janë evidentuar raste të shumta votimi me dokumente me afat të skaduar.

Cakolli ka thënë se votimi me asistencë ka qenë mjaft i shprehur ne këto zgjedhje, ndërsa ka rënie të rasteve të raportuara për fotografime të votës.


“Ndër fenomenet më të shprehura gjatë këtij procesi zgjedhor është padyshim votimi me asistencë që është evidentuar në pothuajse secilin vendvotim në nivel vendi  madje në mbi 50% të vendvotimeve numri I rasteve me asistencë sillet deri në 50 raste. Kurse, nuk kanë munguar edhe rastet kur janë vërejtur votues të cilët kanë asistuar dhe nuk janë regjistruar fare në librin e votimit  gjë që përbënë shkelje sipas legjislacionit në fuqi.  Edhe më shqetësues është fakti se në raste të izoluara janë parë edhe votues të grup-moshave të reja që u është ofruar asistencë ndonëse pa dhënë arsye se pse kjo asistencë po u ofrohen atyre. Vështirësitë në gjetjen e emrit në listën votuese kanë qenë po ashtu të shprehura përgjatë tërë ditës në pjesën më të madhe  të vendvotimeve në 2/3 e tyre…Në këtë proces është shënuar avancim sa i përket fotografimit të votës meqenëse ka pasur një rënie të ndjeshme të rasteve të raportuara krahasuar me të gjitha proceset zgjedhore. Me gjithë avancimet e procesit zgjedhor vijon të mbetet problematike qasja e personave me aftësi të kufizuara nëpër vendvotime”, tha Cakolli.

Lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në veri, Cakolli tha se edhe në këtë pjesë të Kosovës është zhvilluar proces i qetë zgjedhor.

“Në pjesën veriore të vendit procesi i votimit ka zgjedhur i qetë dhe pa ndonjë incident që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor. Deri më tani  nuk kemi asnjë rast të konfirmuar asnjë incident që mund të ketë afektuar besueshmërinë e publikut në rezultatin zgjedhor apo mbarëvajtjen e procesit. Karakteristik e komunave veriore, e veçanërisht e Mitrovicës së Veriut, është dalja e jashtëzakonshme në zgjedhje, e cila është të paktën dyfish më e lartë sesa mesatarja në nivel vendi gjatë pjesës tjetër të ditës”, tha Cakolli.

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka bërë thirrje për kujdes dhe vigjilencë nga ana e stafit zgjedhor në këtë fazë të procesit zgjedhor kur nis tashmë edhe rinumërimi.

Ndërsa, nga subjektet politike kanë kërkuar të përmbahen nga deklaratat që nxisin pjesëmarrje të qytetarëve në hapësira publike të paktën deri në shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ.

Ndërsa, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja e qytetarëve në  zgjedhje është 42.86 për qind.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: