Dita e fundit e fushatës zgjedhore, këto komuna pritet të shkojnë në balotazh

Fushatës zgjedhore të partive politike për zgjedhjet lokale të 17 tetorit po i vjen fundi. Me aktivitetet e sotme përmbyllet fushata tridhjetë ditore e kandidatëve për kryetar të komunave dhe të dielën i mbetet qytetarëve të vendosin me votën e tyre. Fushata një mujore po konsiderohet se ka kaluar mirë dhe pa incidente nga njohësit e procesit zgjedhor, megjithatë shpalosja e plan-programeve të pretendetëve për kryetar po shihen si ambicioze dhe pa konkretizim të mjaftueshëm të kostove të projekteve. Ndërkohë, parashikohet se shumica e komunave të mëdha do të shkojnë në balotazh.

Hulumtuesi në Iniciativën për Progres (INPO), Qëndrim Arifi, thotë për KosovaPress, se pret që gara kryesore në komunat e mëdha do të bëhet në balotazh. Ai e sheh si të pamundur që të njëjtat të kalojnë pa një raund të dytë të votimit, duke marrë parasysh koncentrimin e partive në këto komuna.

“Duke u nisur nga proceset zgjedhore të mëhershme është po thuajse e pamundur që komunat e mëdha të kalojnë pa balotazh. Kjo pasi interesi i subjekteve politik është shumë i koncentruar në këto komuna dhe kemi shumë kandidatë. Ju e shihni se në komunat e mëdha janë shumë me interes për partitë politike, si nga aspekti i fushatës, ashtu edhe nga aspekti i propozimit të kandidatëve eminent të partisë. Pres që gjitha komunat e mëdha të kemi balotazh. Sigurisht me kalimin e viteve në Kosovë e kemi parë se janë çmontuar bastioni, kemi pak komuna ku kemi bastione, kjo është e mirë për demokracinë, po besoj se nuk do të ketë më shumë tetë deri në dhjetë komuna të kalojnë pa balotazh. Pjesa tjetër do të ketë balotazh, kjo për shkak të shpërndarjes së partive politike dhe pritet që finalja të jetë në pjesën e dytë, balotazhit”, thotë ai.

Ndërsa, analisti politik, Gazmir Raci, thotë për KosovaPress, se balotazhe do të ketë, por nuk pret raund të dytë të votimit në disa komuna të mëdha.

Ai parashikon së në bazë të sondazheve dhe disponimit, balotazh nuk do të ketë në Prishtinë dhe Pejë, ndërsa në komunat e tjera po.


“Ajo çka kemi pa deri tash dhe në bazë të disponimit të qytetarëve, unë nuk pres balotazh në Prishtinë, por pres balotazh në Gjilan dhe Ferizaj. Në Gjakova edhe pse kandidati i AAK-së, zotëri Gjini ka një epërsi, por zonja Kusari-Lila mund ta qojë në balotazh. E kemi edhe Pejën që sipas sondazheve nuk do të ketë balotazh. Podujeva është një qytet që s’do të ketë balotazh, te Mitrovica është thënë fillimisht që mos të ketë balotazh, por sondazhet e fundit po tregojnë se Mitrovica do të shkojë në  balotazh…Kemi disa komuna të vogla që mbesin bastion i LDK-së, siç është rasti i Fushë Kosovës, tek Lipjani shihet se ka një përkrahje të madhe të kryetarit Imri Ahmeti. Natyrisht kandidatët e pavarur janë interesant. Kemi kandidat të pavarur në Han të Elezit, Kamenicë dhe Skenderaj. Te Skenderaj kohën e fundit kemi PDK-në që është duke bërë fuqishëm fushat, mund të rrezikojë kryetarin aktual për të quar në balotazh, pasi kemi krejt partinë që po koncentrohet te baza e saj fillestare”, thekson Raci.

Angazhimin 1 mujor të kandidatëve për kryetar të komunave në fushatën zgjedhore, hulumtuesi në INPO po e sheh si pozitive, por thotë se shumë premtime të tyre nuk kanë mundësi të zbatohen në katër vjet mandat.

“Shumica e plan-programeve të kandidatëve për kryetar të komunave janë ambicioze për shkak të vështirësive në implementimin e tyre. Sidoqoftë është një kualitet shtesë që kandidatët të dalin përtej mundësive reale në aspektin që kjo t’i shtyjë të punojnë më shumë . Por kjo bart edhe rreziqe, siç është pamundësia e zbatimit të këtyre projekteve…. Ka shumë projekte të mëdha, mirëpo pa u diskutuar kosto financiare, pa pasur studim fizibiliteti. Shumë kandidat kanë premtime të larta, është ngrohja qendrore për një qytet, ndërsa kur pyetet se nga do të merren fondet, ata nuk kanë informata”, shton Arifi.

Zgjedhjet lokale do të mbahen të dielën e 17 tetorit, pas fushatës 1 mujore të partive politike, kandidatëve për kryetar të komunave dhe kandidatëve për asamblenë komunale.

Për këto zgjedhje, numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Lexo edhe

Video

error: