E miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2013 me anë të rezolutës A/RES/ 68/192, 30 korriku u caktua si Dita Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
Në rezolutë thuhet se një ditë e tillë ishte e nevojshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi gjendjen e viktimave të trafikimit njerëzor dhe për promovimin, mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Trafikimi i personave është një krim i rëndë dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Çdo vit, mijëra burra, gra dhe fëmijë bien në duart e trafikantëve, në vendet e tyre dhe jashtë vendit. Pothuajse çdo vend në botë është i prekur nga trafikimi, qoftë si një vend i origjinës, transit apo destinacion për viktimat.
UNODC, si kujdestar i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar transnacional (UNTOC) dhe protokolleve të tij, ndihmon shtetet në përpjekjet e tyre për të zbatuar Protokollin për Parandalimin, Frenimin dhe Ndëshkimin e Trafikimit të Personave (Protokolli i Trafikimit të Personave).