Policia e Kosovës ka konfirmuar për KosovaPress se edhe tri vetura të tjera janë djegur në veri të vendit.
Sipas policisë, një qytetar i nacionalitetit serb kosovar nga Leshaku i Leposaviqit, ka raportuar rreth orës 03:00 se tri veturat e tij janë përfshirë nga zjarri.
“Në ora 03:10, policia është njoftuar nga një qytetar serb kosovar, se në Leshak të Leposaviqit, tri vetura të tij (nuk janë me targa RKS), janë përfshirë nga zjarri. Policia ka dalë në vend-ngjarje dhe ka inicuar rastin ‘zjarrvënie’ të cilin është duke e trajtuar”, theksoi zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi.
Për djegien e këtyre tri veturave ka shkruar Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela.
“Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Tre makina të tjera janë djegur sot herët në mëngjes. Strukturat ilegale të Serbisë tani po synojnë serbët vendas që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet. Çdo autor do të dalë para drejtësisë”, ka shkruar Vela në Twitter.