Dialogu Kosovë-Serbi po shkon drejt bllokadës, pas dështimit të arritjes së marrëveshjes në takimin e nivelit të lartë më 14 shtator në Bruksel. Betonizimi i qëndrimeve të kundërta për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, e ka vendosur dialogun në një të ardhme të paqartë.
Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje thonë se ndërmjetësuesit e dialogut e kanë devijuar marrëveshjen bazë dhe për rifillim të procesit duhet një balancim të qasjes në dialog. Ndërkaq, opozitarët kritikojnë kryeministrin Albin Kurti se përmes qasjes së tij të gabuar në dialog po i dëmton raportet me aleatët ndërkombëtar. Vazhdimin tutje të dialogut Kosovë-Serbi e shohin me mëdyshje edhe njohësit e këtij procesi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë për KosovaPress, se zgjidhja e ngërçit aktual në dialog duhet të bëhet përmes një qasje të balancuar të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit për dialog, Miroslav Lajçak.
Ai thotë se aneksi i marrëveshjes së Ohrit duhet të zbatohet pikë për pikë, por njohja de-facto duhet të vendoset në qendër për t’i ikur çfarëdo obstruksioni të Serbisë.
Megjithatë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj i sheh të gabueshme kritikat publike të kryeministrit Albin Kurti ndaj ndërmjetësve të dialogut.
Sipas tij, pas mbështetjes amerikane ndaj ndërmjetësve të dialogut do të vërehen pasojat për Kosovën.
Në anën tjetër, analisti politik, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se Bashkimi Evropian duhet të gjejë një zgjidhje kreative për të dalë nga situata aktuale në dialog.
Ai nënvizon se modelet me sanksione nuk duhet të jenë pjesë e vazhdimit të dialogut.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq më 14 shtator kanë pasur takimin e fundit në kuadër të dialogut në Bruksel. Aty nuk pati asnjë rezultat nga takimi i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Kurti tha se ka propozuar një plan të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa ka kritikuar ndërmjetësit e dialogut dhe presidentin serb, Vuçiq se kanë insistuar vetëm në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Megjithatë, përfaqësuesi i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i ka dhënë mbështetje ndërmjetësuesve të dialogut, Borrell dhe Lajçak, derisa ka kërkuar konstruktivet nga pala kosovare.