Dhoma e Tregtisë, MINT, AKK dhe bizneset diskutojnë për ngritjen enorme të çmimit të çimentos

Dhoma e Tregtisë, MINT, AKK dhe bizneset diskutojnë për ngritjen enorme të çmimit të çimentos

Ngritja enorme e çmimit të çimentos për herë të tretë nga 1 janari 2022 e deri më sot ishte arsyeja kryesore që shtyu Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, sektori i ndërtimit, të mbledh në një takim të përbashkët bizneset e sektorit të betonit e ndërtimit, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari dhe kryesuesen e Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurencës (AKK) Naime Bunjaku Isufi.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë prezantoi para ministres dhe kruesueses ndryshimin e çmimit të çimentos nga viti 2019, derisa falënderoi ministren dhe kryesuesen e AKK për bashkëpunimin.

Përfaqësuesi i sektorit të ndërtimit, Naim Mahmutaj theksoi se ndërtimtaria në Kosovë është në gjendje kaotike, ani pse sot, siç tha ai, në këtë sektor janë përqendruar investimet më të mëdha, e gjithashtu është një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Kosovë.

Përfaqësuesi i sektorit të betonit, Bujar Avdyli shtoi që është e nevojshme të analizohen më në detaje arsyet që kanë shtyrë deri tek një ngritje e tillë enorme të çmimeve të çimentos, e cila efektin më të madh e ka tek konsumatori final, pasi sipas tij, kjo do të ndikojë direkt në ngritje të çmimit të ndërtimit të objekteve të banimit si dhe atyre afariste.


Gjatë takimit bizneset e njoftuan Autoritetin e Konkurrencës që të ketë parasysh faktin se “Titan Group” që është pronari i “Sharrcem” SH.P.K., ka në pronësi edhe fabrikat e çimentos që operojnë në rajon, siç është ajo në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Serbi.

Bëhet e ditur se ministrja Hajdari ka përgëzuar Dhomën e Tregtisë për organizimin e lobimin për trajtim të sfidës së sektorit të betonit dhe shtoi që është tejet i nevojshëm bashkëpunimi i institucioneve me bizneset, ashtu që të luftohen dukuritë e papranueshme.

Ministrja dhe Autoriteti i Konkurrencës gjatë diskutimit të hapur dëgjuan brengat e bizneseve dhe premtuan që do e analizojnë rastin në afat sa më të shkurtër kohor dhe të dalin me një përgjigje konkrete.

Gjatë diskutimit të hapur u theksuan edhe brenga tjera që preokupojnë sektorin e ndërtimit dhe bizneset në përgjithësi, ku u kërkua nga MINT dhe AKK të ketë reagime dhe përkrahje më të shpejtë në rastet e situatave të jashtëzakonshme, siç është ngritja e çmimit apo të ngjashme.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se bizneset kërkuan përkrahje edhe për ndryshimin e çmimeve të kontratave publike të nënshkruara para pandemisë për shkak të rritjes enorme të çmimeve të importit të mallrave (aktualisht Kosova ka raportin import/eksport 90/10), pasi siç u tha aty, kështu bizneset po detyrohen të shkelin ligjet, siç është shitja nën çmimin e blerë.

Lexo edhe

Video