“Dhjetë dallimet dhe ca të përbashkëta midis Tiranës dhe Prishtinës politike”

“Dhjetë dallimet dhe ca të përbashkëta midis Tiranës dhe Prishtinës politike”

Analisti i njohur nga Shqipëria, Afrim Krasniqi, ka nxjerrë dhjetë dallime midis Tiranës dhe Prishtinës politike.

Ai këtë e ka bazuar edhe në zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa shkruan edhe për disa të përbashkëta.

Postimi i tij i plotë:

Zhvillimet e fundit në Kosovë: 10 dallime dhe ca të përbashkëta midis Tiranës dhe Prishtinës politike


  1. Kosova bëri një ushtrim demokracia dhe funksionoi. Ajo e ka aplikuar mocionin e mosbesimit/besimit 3 herë dhe 3 herë me sukses. Shqipëria e tentoi 2 herë në vitet 2000, por dështoi, më pas më 2008 me ndryshimet kushtetuese e bëri të pamundur që të ketë më mocion mosbesimi.
  1. Kosova i bën dhe i zgjidh marrëveshjet në parlament. Në Shqipëri? Parlamenti është aq formal, sa mbetet me pult televizioni në dorë duke pritur çfarë kanë vendosur partitë.
  1. Partia fituese me vota e mandate rrëzohet nga pushteti pa mbushur dy muaj. VV pati fituar 26% të votave. Në Shqipëri partia fituese, qoftë edhe me vetëm ca mandate më shumë muajt e parë merr më shumë mandate nga partitë e tjera dhe forcohet aq shumë sa qëndron 4 vjet në pushtet.
  1. Koalicioni VV-LDK ishte bashkim numrash si në lojë shahu, jo bashkim programesh dhe marrëdhënie besimi. Kur loja ndryshon e ndonjë numër preket, koalicioni bie. Në Shqipëri? Me qetësi e dashuri shkarkimi i një ministri të aleatit nuk sjell asgjë, thjesht një ministër tjetër.
  1. Albin Kurti, pavarësisht se veproi më shumë si lider rebel ndaj sistemit sesa si kryeministër, e pranoi sfidën megjithëse bëri kundër shtetin më të fuqishëm në botë. Mirë apo keq, ai ka ide, ka bindje, bën premtime dhe i mbron ato. Cili e bën këtë të fundit në Shqipëri?
  1. Kryetarja e Kuvendit dhe dy deputetë të tjerë votuan në grup dhe në Kuvend kundër vendimit politik të partisë së vet. LDK deklaroi se nuk e do e përjashtojë dhe asgjë nuk do ndryshojë në raportet e tyre. Imagjino të ishte në Shqipëri! Do të kishte qenë dita e saj e fundit në politikë, pasi do e kishin shkarkuar pa nisur seanca plenare ose në seancë, pa kaluar ora pas votimit.
  1. Vjosa Osmani pati kurajë që në ditën kur merret vendim për pushtetin e partisë së vet, të ruajë identitetin dhe të mbrojë mendimin e saj të lirë. Cili e ka bërë në Shqipëri këtë? Këtu themi, në fillim partia më pas Shqipëria.
  1. Për të mbledhur parlamentin në Kosovë nuk u pyetën politikanët, por Instituti i Shëndetit. Ky i fundit foli me gjuhë ekspertësh dhe nuk bëri politikë. Në Shqipëri? Edhe për koronavirusin flasin fillimisht politikanët e më pas drejtuesit e mjekësisë e përforcojnë idenë politike të shefit.
  1. Gjykata Kushtetuese në Kosovë u vu në lëvizje nga Presidenti dhe për 24 orë mori vendim për vijimin e çështjes. Tek ne, ende nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe kur e kemi, do ca muaj të marrë ndonjë vendim.
  1. Kosova prej korrikut 2019 provoi 8 muaj me qeveri të rënë, 3 muaj bisedime për qeverinë e re, pas 2 muajsh e rrëzoi edhe qeverinë pasuese. Në Shqipëri? Nuk ka kurrë dorëheqje, qeveritë i bëjmë për 5 minuta në Gjirin e Lalzit dhe presim 8 vjet për të pasur shans ta ndryshojnë qeverinë.

A kemi të përbashkëta? Po. Ja tre tregues:

I pari, militantët e partive në Kosovë po përdorin mediat sociale duke kaluar nga rruga në internet, për denigrime, kërcënime dhe bindje të verbër ndaj liderit. Këtu, po, Kosova e Shqipëria janë bashkuar. Nuk ka më parti, ka ushtri anonime që rend pas liderit edhe kur ky gabon.

I dyti, sa herë ka akuza për korrupsion apo kërcënohet karriera e kryetarëve të partive kryesore edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, ata bashkë e gjejnë rrugën për të mbijetuar e amnistuar njëri tjetrin. Dhe këtyre pazareve i vënë emrin “marrëveshje për reforma”, “marrëveshje për stabilitet” apo “marrëveshje për integrimin”!

I treti, edhe atje edhe këtu liderit e duan SHBA dhe Perëndimin kur janë pro tyre dhe i sulmojnë dhe refuzojnë në emër të “sovranitetit” kur ato janë kritikë ndaj tyre.

I fundit, seanca e debatit në Kuvendin e Kosovës tregoi se një pakicë deputetësh është mendjehapur dhe qytetare, por logjika fisnore, krahinore e besnikëria partiake mbetet virtyt dominues, si edhe në Shqipëri. Edhe atje, edhe këtu, kundërshtari denigrohet duke i thënë se është i shitur e po i shërben interesave kundër vendit, dhe e fundit, edhe atje edhe këtu shumica e atyre që kanë pasur e kanë pushtet real janë pjesa më e korruptuar e politikës dhe pengesa reale e progresit për dy shoqëritë e dy shtetet.

Lexo edhe

error: