Detaje nga marrëveshja Kosovë-Shqipëri për lehtësimin e procedurave për njohjen e diplomave

Detaje nga marrëveshja Kosovë-Shqipëri për lehtësimin e procedurave për njohjen e diplomave

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka dhënë detaje për marrëveshjen e nënshkruar në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, lidhur me lehtësimin e procedurën e njohjes së diplomave.

Në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, e cila u mbajt sot në Elbasan, janë nënshkruar 16 marrëveshje mes dy vendeve, në mesin e të cilave edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e arsimit.

Kjo marrëveshje, e cila u nënshkrua nga ministret e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Evis Kushi, mundëson lehtësim të procedurës të njohjes së diplomave.


“Marrëveshja lehtëson procedurën e njohjes së diplomave nga Institucionet e Arsimit të Lartë (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave), në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet tjera të autorizuara”, thuhet në një postim të ministrisë në Facebook.

Ministrja Nagavci tha se kjo marrëveshje është shembull tipik i jetësimit të Konventës së Lisbonës të vitit 1997 dhe bën të mundur shkurtimin domethënës të procedurave për njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe certifikatave të fituara në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë dhe në Shqipëri.

Po ashtu, ministret Nagavci e Kushi u zotuan se do të punojnë në abetaren e re të unifikuar për të gjithë fëmijët shqiptarë.

Video