Moldavia ka identifikuar më shumë se njëqind të rinj që dyshohet se janë stërvitur në Rusi, Bosnje dhe Serbi me qëllim destabilizimin e vendit.
Kreu i Inspektoratit Kryesor të Policisë, Viorel Cernauțeanu, tha se katër persona janë arrestuar më 17 tetor dhe janë dërguar në paraburgim 30 ditë, raporton Shërbimi moldav i Radios Evropa e Lirë.Cernauțeanu tha se disa të rinj kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me policinë.
Policia publikoi pamjet e kamerave të fshehta nga stërvitjet e supozuara në Rusi, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ku mund të shihen të rinj në klasa, teksa “ushtrohen për protesta” dhe thërrasin slogane si “gjuha jonë është ruse”, “jo shtetësisë së dyfishtë” dhe “ne nuk duam të hyjmë në Evropë”.Në videon, e cila supozohet se tregon skena nga një kamp stërvitor në Ballkan, të rinjtë shfaqen duke mësuar të bëjnë eksploziv dhe të përdorin dron.
Sipas policisë, të rinjtë janë rreth 20 vjeç dhe kanë udhëtuar drejt Rusisë për stërvitje nga qershori deri në tetor. Disa prej tyre janë trajnuar edhe në kampet në Serbi dhe në Bosnje të grupeve ushtarake private ruse, Ferma dhe Wagner, sipas autoriteteve të Moldavisë.
Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen së bashku me një referendum që do t’i pyesë votuesit nëse Moldavia duhet të ketë mundësi të anëtarësohet në BE. Shtetet e Bashkuara përsëritën më 15 tetor se Rusia po përpiqet t’i minojë zgjedhjet, duke shpenzuar miliona dollarë për këtë qëllim.
Moldavia e siguroi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në qershor të vitit 2022 dhe nisi bisedimet e anëtarësimit me bllokun në fillim të këtij viti. /REL