Dështon zgjedhja e dy gjyqtarëve të Kushtetueses, do të përsëritet konkursi

Edhe raundi i tretë i votimit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës nuk ka përcaktuar përfundimisht se cilët do të jenë dy gjyqtarët e Kushtetueses.

Në këtë raund votimi kandidatë ishin Etrur Maloku, Bardh Bokshi dhe Hilmi Jashari.

Në procesin e votimit morën pjesë 79 deputetë, prej tyre 5 vota ishin të pavlefshme.


Etrur Maloku mori 43 vota, Bardh Bokshi 41 vota dhe Hilmi Jashari 18 vota, duke mos arritur asnjëri prej tyre të merr votat e mjaftueshme.

Për t’u zgjedhur, kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm në seancë dhe që votojnë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka thënë se pasi asnjëri prej kandidatëve nuk ka marrë votat e mjaftueshme, atëherë do të përsëritet konkursi për të dy këto pozita.

Ndryshe, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës nuk do të vazhdojë sot dhe Konjufca tha se për vazhdimin e seancës së sesionit pranveror do të përcaktohet në një mbledhje të kryesisë së Kuvendit që do të mbahet paraprakisht.

Lexo edhe

Video