Dështon votimi i projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për të votuar projektin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Vetëm 72 deputetë kanë marrë pjesë në votim, që është numër i pamjaftueshëm sa i përket votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mbështetur këtë marrëveshje.

Derisa ka kërkuar votuat e deputetëve, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se projekti ndahet në tri faza dhe ndër të tjera përfshinë rinovimin e binarëve dhe riparimin e tuneleve.


Ndërsa shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk ja vlen të votohen marrëveshje të tilla në kohën kur Kosovës i janë vendosur masa nga Bashkimi Evropian.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, është shprehur kritik ndaj qeverisë sa i përket masave të BE-së por ka bërë te ditur se deputetët e kësaj partie e mbështesin këtë marrëveshje ndërkombëtare.

Pas dështimit në votim, kjo pikë e rendit të ditës është bartur në seancën e ardhshme.

Në këtë seancë ka dështuar të miratohet edhe propozim-rezoluta për punën 2 vjeçare të qeverisë. Për këtë rezolutë kanë votuar 19 deputetë, 49 kundër dhe tre të tjerë kanë abstenuar.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Lexo edhe

Video