Dështon votimi i ndryshimit të numrit të komisioneve parlamentare

Dështon votimi i ndryshimit të numrit të komisioneve parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të ndryshojë rregulloren e Kuvendit për ndryshimin e numrit të komisioneve parlamentare nga 16 në 14, pasi në procesin e votimit nuk ishin të pranishëm së paku 80 deputetë.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se miratimi i propozim-vendimit për formimin e 14 komisioneve parlamentare kërkon ndryshimin e nenit 69, paragrafi 3 dhe 4 të rregullores së Kuvendit me të cilin parashihen 16 komisione. Në bazë të nenit 81, paragrafi 3 të rregullores së Kuvendit ndryshimi miratohet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, pra nevojiten së paku 80 vota për.

Para se të votohej, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se ky subjekt politik e mbështet ndryshimin e numrit të komisioneve parlamentare nga 16 në 14, por kërkoi që në momentin e votimit të tërhiqen emrat e deputetëve të rinj që ende nuk janë dekretuar nga presidenti  Hashim Thaçi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se ideja e 14 komisioneve ka qenë si arsye e krijimit të një mbikëqyrje më të mirë parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së Bedri Hamza, ka pasur kritikë se pse në rend të ditës ka qenë vetëm një pikë e rendit të ditës dhe nuk janë lejuar deklarimet jashtë rendit të ditës.

Derisa Hamza po adresonte kritika për rendin e ditës, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ia ndali mikrofonin, për çka erdhi deri te reagimi i tij dhe grupit të deputetëve të PDK-së, duke thënë se ka në dispozicion për diskutim vetëm 5 minuta që ai i ka shfrytëzuar dhe sipas rregullores i ka 10 minuta.

Më pas, shefi i grupit parlamentar të PDK-së Bedri Hamza, duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, tha se nuk i duhet kjo arrogancë.


Hamza ka pasur kritika edhe për seancën në të cilën është zgjedhur kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, duke iu drejtuar shefit parlamentar të PDK-së, tha se ai po përdor gjuhë jo parlamentare.

Lidhur me deklarimin e Hamzës për zgjedhjen e Osmanit kryetare të Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se ajo çka ka ndodhur nuk është përgjegjësi e Osmanit pasi që ka qenë vetëm deputete.

Ndaj deklarimeve të shefit të GP të LDK-së Arben Gashi, serish ka reaguar homologu i tij nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza. Përplasja ka vazhduar edhe më pas në mes të shefit të GP të PDK-së Bedri Hamza dhe kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani.

Më pastaj, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet, por që nuk ka gjetur përkrahje nga partitë opozitare.

 

 

Lexo edhe

Video

error: