Dështon të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj ministrit Liburn Aliun dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar seanca për shqyrtimin fillestarin në rastin ku  ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu po akuzohet për veprën penale keqpërdorim të autoritetit zyrtar gjatë periudhës sa ishte drejtor i Urbanizmit në komunën e Prishtinës. Kjo pasi në seanca ka munguar e pandehura, Bahtie Uka për shkak të lëndimeve në këmbë. Në mungesë të kushteve ligjore seanca për shqyrtimin fillestar është shtyrë për 30 prill nga ora 10:00.

Të pranishëm në këtë seancë gjyqësore kanë qenë ministri Aliu dhe të akuzuarit e tjerë, Ardian Olluri me avokatin Arbër Istrefi,  Zejnulla Rexhepi me mbrojtësin, Bhear Ejupi,  Nazife Krasniqi e cila mbrohet nga Jeton Maqedonci dhe Mimoza Berisha Prestreshi me avokatin Florin Vërtopi Në sallë prezent ishte edhe prokurorja e rastit,  Dulina Hamiti e cila tha se të gjitha shkresat e lëndës janë gati për t’i marr të akuzuarit.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi njoftoi se më 2 prill 2021 kishte pranuar një parashtresë nga mbrojtësi i të akuzuarës Bahtie Uka, avokati Destan Rukiqi, përmes të cilës njoftoi se Uka nuk do të jetë prezente në seancën e sotme, me arsyetimin se kishte pësuar lëndime në këmbë, ndërsa parashtresës i ishte bashkangjitur edhe raporti mjekësore.

“Mungon e pandehura Bahtie Uka, për të cilën më 02.04.2021 nga mbrojtësi i saj, Destan Rukiqi ka njoftuar Gjykatën se e njëjta nuk mund të prezantojë në seancën e sotme për shkak të lëndimeve në këmbë për të cilat gjykatës i ka dorëzuar edhe raportin mjekësor. Në mungesë të kushteve ligjore  kryetari i trupit gjykues merr akt-vendim shqyrtimi i sotëm nuk hapet”, tha ai.


Mbrojtja e të akuzuarës, Mimoza Berisha Prestreshi, Florin Vertopi kërkoi që të respektohen masat anti-Covid dhe seanca e radhës të mbahet në salla më të mëdha.

“Ne i kemi marr rreth 1 mijë faqe material, nëse mendoni me gjykuar në  këto kushte sigurisht që ka me pas gjykim të padrejtë, mbrojtja iu lut të keni parasysh edhe kushtet pandemike sepse duhet me respektua edhe atë ligj”, theksoi ai.

Kurse, pas mbylljes së seancës, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se për këtë çështje fletë më 30 prill në ditën ku u caktua të mbahet seanca e radhës për shqyrtimin fillestar.

“Seanca është shtyrë për 30 prill, dhe tek pas kësaj date mund të bëhen deklarata tamam si duhet”, tha ministri Aliu.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.