Dështimi i takimit të dialogut në Bruksel, s’shihen zhvillime të reja në horizont
Tema
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Mungesa e takimit trepalësh të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut po konsiderohet një dëshmi më shumë për dështimin e këtij procesi, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Mirosalv Lajçak. Partitë opozitare, shprehen skeptike se do të ketë diçka konkrete në muajt në vijim drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, derisa Kosova është në prag të zgjedhjeve dhe emisarit Lajçak po i përfundon mandati. Në anën tjetër, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje kërkojnë nga Bashkimi Evropian të ketë qasje të balancuar në këtë proces. Sipas tyre, BE-ja duhet të insistojë që Serbia të tërheq letrën ku atakon pikat që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës si dhe të nënshkruajnë ujdinë e Ohrit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu thotë për KosovaPress se Kosova duhet të tregohet palë konstruktive në dialog, mirëpo assesi duke diskutuar tema të brendshme në Bruksel.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Time Kadrijaj, deklaron se emisari Lajçak ka tentativa për takime në nivel të kryenegociatorëve vetëm për shkak të arsyetimit të punës së tij, kur është në përfundim të mandatit.

Sipas saj, në këtë proces s’pritet të ketë progres pasi Kosova gjendet veçse në proces zgjedhor, derisa akuzoi kryeministrin Kurti se ka bërë koncesione të mëdha në dialog me pranimin e marrëveshjes së Brukselit dhe draftit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se pavarësisht tentimeve të Lajçak për takime trepalëshe në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, është koha e fundit që BE-ja të veprojë drejt në dialog, duke i kërkuar Serbisë të nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit dhe të tërheq letrën e dërguar nga ish kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

Pas dështimit të takimit trepalësh në Bruksel, emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, shprehu keqardhjen që s’ka pasur një takim të tillë për të trajtuar siç tha çështjet urgjente.

Kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi akuzoi homologun e tij serb, Petar Petkoviq se takimi s’ka ndodhur për fajin e tij pasi s’ka pranuar agjendën e diskutimit të dakorduar me ndërmjetësin Lajçak. Të njëjtën gjë e bëri edhe Petkoviq ndaj Bislimit.

Krahas këtyre, Bislimi bëri të ditur se Serbia nuk ka tërhequr letrën nga Brukseli, pavarësisht deklaratës së Lajçak në Prishtinë se e njëjta e ka bërë një gjë të tillë.

Pas takimeve bilateraleve të palëve me Lajçak është raportuar se Bislimi dhe Petkoviq kanë pasur takime të ndara edhe në selinë e NATO-s në lidhje me urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë./E.Zeqiri/

https://kosovapress.com/musliu-shoshi-informone-glaukun-qe-dialogu-nuk-eshte-ne-arkivol-po-me-i-forte-se-kurre

https://kosovapress.com/konjufca-dialogu-ndodhet-ne-qorrsokak-pas-banjskes-ka-humbur-minimumi-i-mirebesimit

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024