Dështimi i “Sunny Hill”, Rama: Ishin paraparë përfitime deri 15 milionë euro

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga kryeqyteti kosovar për në Tiranë. Ai tha se përkundër që kanë bërë maksimumin edicioni i sivjet i këtij festivali nuk po mbahet në shtëpinë e tij.

Në një konferencë për medie Rama tha se për poenë politikë është tentuar që vendimi për dhënien e pronës komunale të kthehet në Kuvend Komunal. 

“Arsyeja pse sot është i zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjeve të qeverisë, e cila pavarësisht se i gjithë procesi për dhënien në shfrytëzim komunale për festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligji institucionet  qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në  kompetencat e Kuvendit Komunal dhe në kompetencat e kryetarit të Komunës… Për fat të keq, për çështje të tilla që fare nuk duhet të politizon janë  bërë përpjekje që për poenë politikë të tentohet që vendimin ta rikthejnë në Kuvend kundër vullnetit  të shumicës së asamblesë… Veprimet e tilla për ne janë të papranueshme, kjo zvarritje e qeverisë është e pafalshme dhe i ka bërë dëm të madh artit, kulturës, imazhit të vendit, rinisë sonë, por edhe ekonomisë së Prishtinës dhe mbarë vendit. Ftoj Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të konfirmoj ligjshmërinë e Kuvendit Komunal”, u shpreh ai.

Rama u shpreh se Qeveria e Kosovës ka qenë vazhdimisht e njoftuar për kushtet e kontratës, derisa theksoi se marrëveshja me festivalin “Sunny Hill” ka qenë që çdo tri vjet të rishikohet dhe pas 25 vjetëve, prona e dhënë në shfrytëzim mund t’i kthehej Komunës.


Ai u shpreh se numrin 99 nuk e ka sjellë ai e ka gjetur nga qeverisja e kaluar.

“Ashtu siç është përcaktuar edhe në ofertën e negociuar për kontrata parasheh që nëse tri vite me radhë festivali “Sunny Hill” nuk mbahet për çfarëdo arsye atëherë automatikisht prona i rikthehet komunës së Prishtinës, hapësira e dhënë gjatë gjithë vitit do të jetë park publik i hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës ndërsa komuna e Prishtinës do të ketë 60 ditë në dispozicion për organizimin edhe të festivale të tjera… Në kontratë parashihet që çdo tri vjet rishikohet edhe pika tjetër është në 25 vjet në bazë të kontratës prapë rishikohet dhe mund t’i kthehet komunës së Prishtinës duke i thënë 5 vite Sunny Hill që të gjejë pronë tjetër ne e kemi 99. Nuk e kam pru 99-shin, e kam gjet këtu, sepse qeveria e kaluar ka vendosur që kjo tokë t’i jepet në shfrytëzim për 99 vjet. Kanë qenë vetëm tri pika që kjo të bëhet e ligjshme publikimi i listave të pronave komunale, miratimi paraprakisht i listës së pronave komunale dhe negocimi me Sunny Hill dhe të tria i kemi bërë. Kjo është pse nuk ka pasur arsye për zvarritje”, tha ai.

I pari i Prishtinës derisa u shpreh se do të shkojë edhe në Tiranë në “Sunny Hill”, foli edhe mbi përfitimet e parapara këtë vit e që kapin shifrën rreth 15 milionë euro. Ndërsa, u zotua se do të bëjë çmos që festivali nga viti i ardhshëm të kthehet në Prishtinë.

“Në bazë të  kalkulimeve të mëparshme përfitimi i qytetit ka qenë 7-8 milionë është paraparë që sivjet do të jetë 12-15 milionë, pra këto janë humbjet. Normal që nuk kam asgjë kundër Tiranës dhe iu uroj festival fenomenal dhe natyrisht që edhe atje do të shkoj pa kurrfarë problemi, mirëpo  festivali është dashur të mbahet në Prishtinë, është i Prishtinës dhe duhet të mbahet në Prishtinë. Ne do të bëjmë çdo gjë që prej vitit të ardhshëm të mbahet në Prishtinë dhe i përhershëm”, tha ai.

Lidhur me mundësinë që “Sunny Hill” të mbahet në ndonjë hapësirë tjetër, i pari i Prishtinës u shpreh se është dashur kohë për t’u përgatitur.

Lexo edhe

Video