Dëshmori Selman Vojvoda dhe dëshmorët e tjerë, janë vula e shtetësisë sonë

Dëshmori Selman Vojvoda dhe dëshmorët e tjerë, janë vula e shtetësisë sonë

Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Komunës së Skenderajt është mbajtur sot akademia përkujtimore kushtuar dëshmorit, Selman Vojvoda në nder të 30 vjetorit të rënies së tij.

Presidenti Hashim Thaçi e kujtoi me nderime të larta rënien heroike të studentit, Selman Vojvoda në demonstratat e vitit 1999 në Mitrovicë, ndërsa tha se rënia e tij për të gjithë Kosovën ishte mesazh i rezistencës së përbashkët.

Ai tha se dëshmori Selman Vojvoda dha shembullin më të mirë të rezistencës, i la librat për të protestuar për Kosovën e lirë e të pavarur.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari e kujtoi dëshmorin Selman Vojvoda si njeri guximtar e liridashës, duke thënë se Vojvoda e dinte se pa derdhur gjak nuk do të fitohej liria, andaj edhe do të mbesë përherë vula e shtetit të Kosovës.

Në emër të organizatave të veteranëve të luftës së UÇK-së, foli Hysni Gucati i cili e kujtoi dëshmorin Selman Vojvoda nga Llausha, duke thënë se ai u vra në mënyrë barbare nga forcat serbe të cilat me të gjithë arsenalin e tyre qëlluan mbi protestuesit që kishin dalur në kërkim të të drejtës për liri dhe pavarësi për popullin shqiptar.


Selman Vojvoda, u vra nga policia serbe më 20 shkurt 1990, kur forcat serbe kishin sulmuar me gjithë arsenalin e armatimit, përfshirë edhe autoblindat, pjesëmarrësit e protestës popullore me moton “Demokraci kundër dhunës”, duke lënë të plagosur edhe 24 protestues të tjerë.

 

 

 

 

Lexo edhe

Video