Dëshmorët e UÇK-së dekorohen me medaljen “Nderi i Kombit”

Dëshmorët e UÇK-së dekorohen me medaljen “Nderi i Kombit”

Në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Kosovës, presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” Selman dhe Besnik Lajçi, dy dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë pejanë, të cilët sakrifikuan jetën për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës.

Meta dekoroi Selman dhe Besnik Lajçin  me motivacionin: “Me nderim dhe respekt të veçantë për jetën, veprën e paharruar dhe kontributet e çmuara atdhetare si luftëtar i orëve të para për lirinë e Kosovës. Me mirënjohje ndaj sakrificave për lirinë e vendit dhe shembullit të rrallë dhe frymëzues për brezat e ardhshëm.”

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit uroi fillimisht mbarë kombit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë qytetarëve të Kosovës, 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë të Kosovës, që edhe zyrtarisht e vulosi rrugën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, me perspektivë të sigurt drejt integrimeve euroatlantike.


Meta tha se “për të mbërritur tek kjo ditë e rëndësishme, u desh shumë mund, sakrifica, gjak i derdhur lum dhe jetë të dhëna nga bashkëkombësit tanë”.

“Kosova është gjaku ynë, që nuk falet kurrë! Sot, jemi mbledhur në Institucionin e Presidencës, ku me respektin më të lartë, kujtojmë dhe vlerësojmë, dy figura të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy heronj, dy dëshmorë, të cilët morën pjesë dhe drejtuan veprime ushtarake kryesisht në zonën e Rugovës dhe pjesë të tjera të Rrafshit të Dukagjinit”, tha Meta.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas Presidentit Meta, “ishte një luftë e shenjtë, ishte lufta për të mbrojtur nderin e familjes, pragun e shtëpisë, por edhe për të çliruar njëherë e përgjithmonë vendin nga sundimi dhe tirania serbe”.

“Djemtë dhe vajzat e Kosovës, që morën armët në dorë për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe shumë prej tyre, të cilët flijuan edhe jetën, janë emrat më të nderuar të historisë më të re të kombit tonë. Treva e Rugovës në përgjithësi është shquar gjatë historisë për burra trima e të besës, të mendjes, të penës edhe të pushkës. Sa herë janë vënë në pikëpyetje fatet e kombit dhe trojet tona, rugovasit kanë qenë në ballë të frontit të luftës, të sakrificave dhe të derdhjes së gjakut. Edhe në luftën më të fundit, rugovasit u shquan në organizimin, sakrificën, vetëmohimin, por edhe në përballjen me forcat e kundërshtarit të pamëshirshëm”, tha ai.

Lexo edhe

Video