Dëshmitarja: Pjetër Shala dhe të tjerë e torturuan burrin tim në Kukës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Dëshmitarja e mbrojtur e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka thënë se burri i saj ishte keqtrajtuar në një fabrikë metali në Kukës. Ajo ka thënë se ishte Pjetër Shala, Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi e të tjerë që e kishin torturuar atë. Sipas saj, atje e kishin pyetur pse ishte shoqëruar me serbët.

Dëshmitarja ka folur për periudhën e bombardimeve të NATO-s, kur ajo dhe familja e saj kishin shkuar në Shqipëri.

Atje, sipas saj, katër persona i kishin kidnapuar burrin dhe mbajtur atë për gati dy javë.

Momentin e rrëmbimin, ajo thotë se nuk e ka parë vet por i ka treguar djali dhe pronari i shtëpisë në të cilën qëndronin, ndërsa shton se e ka parë vetëm makinën duke u larguar.

Ajo ka thënë se bashkë me djalin këtë rast e kishin lajmëruar në Policinë e Durrësit.

Derisa i është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja ka thënë se nuk e di në cilën pjesë të fabrikës e kanë mbajtur burrin e saj. Por sipas saj atje kishte edhe shumë persona të tjerë të ndaluar.

Prokurorja e ka pyetur atë nëse i di emrat e personave për të cilët burri i saj kishte thënë se e kanë torturuar.

“Disa persona i ka identifikuar, i ka ditë cilët janë, na ka treguar. Mund t’i them emrat, ata kanë qenë Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi, kanë qenë edhe të tjerë, njëri nga ta ka qenë edhe Pjetër Shala”, ka thënë dëshmitarja e ZPS-së.

Ndër të tjera, dëshmitarja ka kërkuar të tregojë edhe një ngjarje tjetër që sipas saj ka ndodhur para kidnapimit të burrit, por kjo pjesë ka vijuar e redaktuar.

Pas përfundimit të pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja u është përgjigjur në seancë private pyetjeve të mbrojtësit të viktimave.

Dëshmia e saj vazhdon edhe nesër para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Kjo është dëshmitarja e dytë në procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës.

Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

https://kosovapress.com/admin/deshmitari-pretendon-se-babai-i-tij-u-keqtrajtua-nga-pjeter-shala/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024