Dëshmitari thotë se korrespodencat në mes të TFHS dhe zyrtarëve serbë nuk ishin konfidenciale

Dëshmitari thotë se korrespodencat në mes të TFHS dhe zyrtarëve serbë nuk ishin konfidenciale

Ish-gazetari Halil Berisha, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se nga dokumentet të cilat i ka marrë në OVL-UÇK, në shtator 2020, kanë raportuar vetëm për pjesët në të cilat nuk shkruhej se janë konfidenciale.

Derisa u është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees, dëshmitari ka thënë se redaksia në të cilën ai ka punuar gazetar dhe redaktor, ka vlerësuar se raportimi për dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK, për të cilat pretendohej se kishin rrjedhur nga Specialja, ishte në interes për publikun.

Dëshmitari Berisha ka konfirmuar se një pjesë e dokumenteve që kanë poseduar, kanë qenë korrespodenca në mes të zyrtarëve të Task Forcës Speciale Hetimore dhe prokurorëve e zyrtarëve të Serbisë.

“Mendimi jonë ka qenë për t’i publikuar edhe pse po e përmend prapë se nuk kemi qenë të sigurt për autenticitetin dhe konfidencialitetin e dokumenteve. Te  korrespodenca nuk ka shkruar se është konfidenciale. Përderisa ka shkruar që nuk është konfidenciale të një pjesë e tyre, kemi raportuar për to dhe ka qenë interes i publikut se çka ka në ato dokumente dhe për çka po bëhet fjalë”, ka thënë Berisha.

Ndërsa kur është pyetur nga avokati mbrojtës pse kanë vlerësuar se një raportim i tillë është në interes për publikun, dëshmitari Berisha ka folur për të kaluarën e Kosovës dhe dëbimin që Serbia u ka bërë shqiptarëve nga pronat e tyre. 

“Ne kemi menduar që kjo është në interes për publikun duke e pasur parasysh të kaluarën që e ka pasur populli jonë, populli i Kosovës. Unë jam i ri me moshë, por edhe unë kam prekur pak kohën e luftës. Kam qenë 6-vjeçar në kohën e luftës. Unë bashkë me familjen time dhe me qytetarë të tjerë, jemi larguar me forcë prej banesës, prej shtëpisë sonë dhe jemi detyruar të udhëtojmë për Shqipëri. Kjo çka po them unë është me e lehta se çka mund të thonë të tjerët, unë si 6-vjeçar jam detyruar të ecë pa bukë, pa ujë, dhe forcat serbe kanë vendosur edhe trupa të vdekur në rrugë ku unë si fëmijë 6-vjeçar është dashur të kaloj nëpër ta. Kjo është një temë e ndjeshme për ne, e cila shtjellohet çdo ditë të ne dhe për këtë arsye kemi menduar se ka interes për publikun për të raportuar për këtë çështje”, ka dhënë dëshmitari.


Ai ka thënë se në dokumente përmendeshin zyrtarë publikë të Serbisë, andaj sipas tij ka qenë interesi i publikut që të mësojë më shumë rreth asaj që ‘TFHS u ka kërkuar zyrtarëve serbë ndihmë rreth dëshmitarëve’.

“Nuk ka shkruar konfidenciale dhe ata me këtë term që nuk është i drejtë (Kosova e Metohia), dhe me atë që po mbledhin fakte për krimet e supozuara që i kanë bërë shqiptarët, kemi besuar që është në interes të publikut me publiku… Në atë kohë, nëse nuk gaboj, është përmend aktakuza për, në atë kohë presidentin, zotëri Hashim Thaçin dhe të tjerët, por asnjëherë nuk është përmendur se po kërkohen prova për heroin e Kosovës, Adem Jasharin, dhe kur e kemi parë këtë në këto dokumente, kjo me siguri ka qenë në interes të publikut me ditë, pasi që Adem Jashari në atë kohë ka qenë i vrarë prej forcave serbe dhe që besoj që qytetarët e Kosovës kishin pritur të mblidhen prova për ata që e kanë vrarë Adem Jasharin, por jo për Adem Jasharin”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Halil Berisha, ish-gazetar dhe redaktor në Gazetën Infokus është dëshmitari i dytë në procesin gjyqësor ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Hardinajt.

Ai kishte marrë pjesë në konferencën e parë të OVL-UÇK rreth dosjeve për të cilat akuzohen Gucati e Haradinaj, ku edhe kishte marrë një kopje të tyre.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Lexo edhe

Video

error: