Dëshmitari: Salih Mustafën nuk e kam parë në Zllash në prill të vitit 1999

Dëshmitari i 13 i mbrojtjes së Salih Mustafës, Muhamet Ajeti ka folur para turpit gjykues në Hagë për periudhën e shpërnguljes nga Prishtina për në fshatin Zllash dhe bartjen e të plagosurve në prill të vitit 1999. Ai ka thënë se në këtë periudhë nuk e ka takuar Salih Mustafën në Zllash dhe se aty nuk ka parë apo dëgjuar për persona të ndaluar.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit Julius von Bone, dëshmitari ka deklaruar se më 30 ose 31 mars të vitit 1999 është larguar nga Prishtina dhe ka shkuar në Zllash përmes rrugëve malore.

“Nëse nuk gaboj data 30 ose 31 mars 1999 e kam lëshuar Prishtinën. Këto janë dy data të mundshme, nuk mund të them cila është qind për qind. Kemi shkuar në këmbë. Kemi shkuar me disa ushtarë të tjerë me të cilët jemi takuar në Prishtinë, e kemi lëshuar Prishtinën dhe kemi shkuar në Zllash, kemi qenë një numër nuk e di saktë, ndoshta 10-15 vetë, nuk më kujtohet detaje sa ushtarë kemi qenë por me disa ushtarë kemi shkuar në Zllash”, ka thënë Ajeti.

I pyetur pse kanë zgjedhur Zllashin që të shkojnë aty, dëshmitari ka thënë sepse atje ishte një pjesë e madhe e UÇK-së të cilët ishin nga Zona Operative e Llapit.

Ai ka thënë se në Zllash janë vendosur në një shtëpi, e cila sipas tij ishte rreth 800 metra larg nga shkolla e fshatit.

“Kur kemi arrit në Zllash në atë shtëpi më kujtohet që ka qenë oborri plot njerëz, merreshin me popullatën, me vendosjen e tyre, ashtu ka qenë njëfarë katrahure, ka pasur plot njerëz, 50 ose 60 njerëz kanë qenë, gra, fëmijë, ushtarë, kur kemi arrit datën 30 ose 31 mars. Në atë shtëpi ka qenë oborri plot njerëz duke i vendosur nëpër dhoma që kishin arrit para neve”, ka thënë dëshmitari.

Ajeti ka thënë se brenda atij oborri kanë qenë dy shtëpi të vjetra.

Ndërsa nga Zllashi, dëshmitari ka deklaruar se ishte larguar të nesërmen për të takuar familjen e tij, të cilët ishin vendosur në fshatin Keqekollë.

“Aty kam qëndruar te dajtë dy ditë ose tri mandej jam kthyer në Zllash dhe kohën tjetër derisa ka nisur ofensiva në fshatin Viti, kam qëndruar herë pas here, ka ndodhur kam qwndru ditën në Zllash, kam shkuar me bujt prap te dajtë se nuk ka qenë larg, për shkak se shtëpitë e  mbingarkuara me popullatë, pothuajse më shumë kam qëndruar të dajtë por ditën kam ardhur shumicën e kohës në Zllash deri në fillimin e ofensivës në Viti të Marecit”, ka thënë Ajeti.

Ai ka thënë se ofensiva në Viti kishte filluar më 16 prill dhe sipas tij nga kjo datë ai kishte qëndruar në Viti deri më datën 20 të atij muaji.

Ndërsa më 20 prill ai ka thënë se është kthyer në Zllash me disa të plagosur dhe se aty tashmë ishte improvizuar një spital.

“Nuk më kujtohet kur është transformuar në spital por e di që diku 20 prill kur kemi ardhur me të plagosur i kemi vendosur këtu, këtu ka qenë doktoresha Teuta, disa të tjerë, kishin qenë duke u marrë sepse kishin arrit disa të plagosur para meje, spital nuk mundesh me i thënë por është shndërruar në spital”, ka thënë ai.

Gjatë dëshmisë së tij Ajeti ka thënë se në asnjë prej ndërtesave në Zllash nuk ka parë që bëhej roje.


Avokati Von Bone: A keni dëgjuar ju ndonjëherë nga njerëz që kanë qenë aty në atë vend, nëse kanë qenë persona të ndaluar aty, janë mbajtur persona të ndaluar në ndonjë prej këtyre objekteve apo ndonjë vend tjetër aty.

Dëshmitari Ajeti: Nuk kam dëgjuar kurrë.

Avokati Von Bone: A keni parë ju ndonjëherë nëse ka pasur njerëz të ndaluar aty?

Dëshmitari Ajeti: Nuk kam parë njerëz të ndaluar aty.

Ndërsa Salih Mustafën, dëshmitari ka thënë se njeh nga tetori i vitit 1998 si Cali. Por ai ka deklaruar që Mustafën nuk e ka takuar asnjëherë në Zllash.

“Salih Mustafën e njoh prej diku tetorit, gjysmës së tetorit të vitit 1998, atë kohë e kam njohur si Cali dhe jo si Salih Mustafa… Jo në Zllash nuk e kam parë. E kam takuar Sali Mustafën në tetor të vitit 1998 në Prishtinë, e kam takuar ato ditë kur kemi dashur me lëshu Prishtinën, dhe me të plagosur e kam takuar në fshatin Koliq në periudhë të luftës kur kemi qenë duke i dërguar të plagosurit, aty e kam takuar në Koliq. Në Koliq kur e kam takuar mendoj që ka qenë 21 ose 22 prill”, ka thënë ai.

Sipas dëshmitarit, në Koliq, Salih Mustafa kishte kërkuar që të plagosurit të dërgohen sa më parë për në Majac.

“Kur kemi arrit në Koliq me të plagosur ky ka ardhur aty, e kam takuar me një pjesë të të plagosurve, se kemi shkuar të ndarë grupe-grupe, dhe aty e kam takuar në Koliq kur jemi tubuar të gjithë të plagosurit. E kishim krejt hallin si me i dërgu të plagosurit në Majac të Llapit, ai ishte halli dhe e di që ka kërkuar sa më shpejtë me i nisë të plagosurit, dikush që e di rrugën, dhe unë kam qenë njëri prej tyre që kam lëviz dhe kam qëndru në Majac, dhe me disa ushtarë i kemi marrë të plagosurit dhe i kemi nisur për Majac”, ka deklaruar Ajeti.

Muhamet Ajeti ndër të tjera ka deklaruar që në UÇK është kyçur në fund të qershorit apo fillim të korrikut të vitit 1998 në Zonën Operative të Llapit.

Për këtë ai ka thënë se kishte shkuar në Shalë të Bajgores ku qëndronte Zona Operative e Llapit, por sipas tij herën e parë e kanë kthyer prapa për shkak se numri ishte i mbushur dhe se Ajeti ishte vetëm 17 vjeç.

Ndërsa të nesërmen ai ka thënë se është drejtuar përsëri në të njëjtin vend dhe është bërë pjesë e UÇK-së.

Ajeti po dëshmon në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në gjyqin ndaj Salih Mustafës, i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Lexo edhe

Video