Dëshmitari: Një pjesë e dokumenteve ishin kërkesa të TFHS drejtuar serbëve për t’u siguruar dëshmitarë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ku për ditën e dytë me radhë po dëgjohet dëshmia ish-gazetarit Halil Berisha.

Dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë lidhur me artikujt e botuar në mediumin në të cilin ai ka punuar, Gazeta Infokus.

Berisha ka thënë se pasi ka marrë një kopje të dokumenteve në OVL-UÇK, i ka shikuar ato së bashku me kolegët redaktorë në gazetën ku ka punuar, duke theksuar që gazetarët e tjerë nuk janë lejuar të kenë qasje në të njëjtat.

“Gjatë këtij kontrolli të dokumenteve, ne kemi parë që aty ka shumë korrespodenca të kësaj Task Force Speciale të Hetimit me zyrtarë edhe prokurorë të shtetit të Serbisë, dhe atyre u kanë kërkuar t’iu sigurojnë dëshmitarë, të cilët i kanë përmend me emra, të cilët i kanë përmendur me adresa, që zyra e Task Forcës Speciale e Hetimit i di, por për t’i verifikuar adresat prokuroria dhe zyrtarët serbë, kështu që po, aty ka pasur emra të personave që Task Forca ka synuar t’i intervistojë dhe për të cilët ka kërkuar ndihmë nga prokurorët e Serbisë”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Dëshmitari e kishte përcjellë konferencën e parë në OVL-UÇK në të cilën ishte bërë e ditur se në zyrat e organizatës kanë arritur dokumente për të cilat pretendohej të kenë rrjedhur nga Specialja.

Ai ka konfirmuar se një artikull është e botuar më 9 shtator të vitit 2020 ku thuhej se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka koment për dosjet në OVL-UÇK.

“Posa i kemi marrë dokumentet i kemi shkruar ZPS-së për me pyet për autenticitetin dhe a janë konfidenciale dhe autentike këto dokumente. ZPS nuk ka dhënë përgjigje të saktë, as nuk e ka pohuar as nuk ka mohu asgjë lidhur me këto dokumente. Pastaj duke i pasur në pronësi këto dokumente në Gazetën Infokus kemi treguar çka përafërsisht kanë këto dokumente”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, gazeta në të cilën ai ka punuar ka vendosur që me kujdesin më të madh të raportojë për këto dokumente.

Dëshmitarit i janë prezantuar edhe artikujt në të cilët ishte raportuar se hetues të ZPS-së i kanë marrë dosjet që i ka poseduar Gazeta Infokus, gjithashtu për bastisjet e kryera në OVL-UÇK.

Prokurori e ka pyetur dëshmitarin nëse ka ndonjë botim të historive për pretendime të veteranëve të rrejshëm të luftës.


“Kur nuk kam qenë gazetar i Gazetës Infokus kam qenë me një media tjetër, në atë kohë e di që ka pasur raportime të mediave të ndryshme ku kanë zbuluar edhe emra për disa veteran që dyshohej që janë veteran të rrejshëm. Këta emra, me sa më kujtohet, janë marrë prej një prokurori në Kosovë, ose diçka e tillë”, ka thënë dëshmitari.

Lidhur me këtë, Berisha ka thënë se nuk është në dijeni nëse Gazeta Infokus ka botuar artikuj të tillë.

Pas pyetjeve të prokurorisë, Halil Berisha po i përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtës, Jonathan Elystan Rees.

Berisha ka thënë se paraprakisht ka thënë se është intervistuar edhe njëherë, në Kosovë, më 25 gusht 2021.

“Kam pasur një thirrje sa kam qenë gazetar në Infokus, nëse nuk gaboj ku më është thënë që dëshirojnë të bisedojnë me mua një hetues ose dikush i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por që ai takim nuk ka ndodhur asnjëherë, nuk më kanë kontaktuar më. Tani para asaj date më kanë kontaktuar nëse nuk gaboj një javë ose dy më herët nuk jam shumë i sigurt me data”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se është kontaktuar nga prokurorja Valeria Bolici duke shtuar se nuk ka pasur ftesë me shkrim apo fletëthirrje për intervistimin e parë në Kosovë.

“Më ka thënë që do të intervistohem në lidhje me çështjen në fjalë dhe që jam në cilësi të dëshmitarit nëse më kujtohet. E kam pyetur dhe më ka thënë se nuk jam në cilësinë e të dyshuarit… Unë jam gazetar dhe me thënë të drejtën unë nuk kam pritur të ftohem as për intervistim si dëshmitar, as si i dyshuar se unë e kam kryer punën time me a sa di dhe në mënyrë profesionale, kështu që nuk e kam pritur së pari që do të jem i ftuar. Kjo ka qenë pak sa si e çuditshme për mua dhe kur më është bërë ftesa, unë kam kërkuar që bashkë me mua të jetë edhe zotëri Arianit Koci”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Dëgjimi i Berishës, i cili është dëshmitari i dytë në këtë gjykim, do të vazhdojë sot pasdite.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Video

error: