Dëshmitari i tretë në gjyqin kundër Pjetër Shalës: Babai ishte kidnapuar në Shqipëri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Dëshmitari i tretë i prokurorisë, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka folur për babain e tij për të cilin pretendon se në pranverën e vitit 1999 është mbajtur në një fabrikë metali në Kukës. Atje, sipas tij, ai e kishte kuptuar se ishte Pjetër Shala personi që kishte qenë më herët shtëpinë e tyre.

Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se deri në verën e vitit 1998 ai dhe familja e tij kishin jetuar në fshat për t’u larguar pastaj në një vend të afërt, pjesë kjo e seancës që është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

Prej shtëpisë, sipas tij, janë larguar pasi aty kishin shkuar një grup personash të armatosur ku dy prej tyre ishin futur në oborr dhe u kishin kërkuar t’i dorëzonin armët.

Ai ka thënë se vëllai u kishte dhënë një armë e cila i takonte babait të tyre.

Sipas dëshmitarit, më vonë, pasi familje kishte shkuar në Shqipëri, babai i tij ishte kidnapuar dhe mbajtur në një fabrikë metali në Kukës.

Këtë, dëshmitari ka thënë se e ka mësuar nga babai i tij.

“Babai ka treguar si e kanë kidnapuar në Shqipëri, si e kanë çuar në një fabrikë të metalit në Kukës, torturuar, rrahur, dhe personat disa i njeh dhe disa nuk i njeh. Aty e ka zbuluar se në sulmin e shtëpisë ka qenë edhe Pjetër Shala. Por ka edhe emra të tjerë për maltretimin dhe rrahjen që ia kanë bërë në Kukës. Atë ditë në Kukës kur e kanë rrahur dhe e kanë biseduar në burg aty, i kanë thënë pse, e kemi pasur ne një kafe të vogël kemi punuar, kafenë që ta kanë gjuajtur kam qenë unë pse e ke kërku tjetër kënd dhe pse nuk dole ti kur të erdha te shtëpia”, ka thënë dëshmitari.

Trupi gjykues po vazhdon të dëgjojë dëshminë e këtij dëshmitari edhe në pjesën e fundit të seancës.

Ky është dëshmitari i tretë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024