Dëshmitari i katërt përgjigjet për ngjarjen e sekuestrimit në OVL-UÇK

Oficeri i sigurisë operative në zyrën e Prokurorit të Specializuar(ZPS) Daniel Moberg është dëshmitari i katërt në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Në seancën që po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë ai u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë ku ndër të tjera ka thënë se në zyrat e OVL-UÇK ka shkuar tre herë për të sekuestruar dokumentet të cilat dikush i kishte dërguar në këtë organizatë.

Suedezi Daniel Moberg ka thënë se më 8 shtator të vitit 2020 ka shkuar për herë të parë në OVL-UÇK, me një urdhër gjykate për të kryer sekuestrimin.

“Shkova me një urdhër gjykate për të sekuestruar dokumente të cilat ishin dorëzuar në zyrën e OVL-UÇK. Një kopje e këtij urdhri ju dha sekretarit të shoqatës së OVL-UÇK, si përfaqësues i saj. Pas i sekuestruam i quam në zyrat tona në Prishtinë ku kolegët filluan t’i skanonin që t’i dërgonin në zyrë në mënyrë dixhitale. Më pas ato u futën në një kasafortë, origjinalet u sollën këto në Hagë, rreth afërsisht dhjetë ditë më vonë. Unë i futa në kasafortën e zyrave tona dhe unë ia dorëzova prokurorit që i solli në Hagë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmisë së tij, dokumentet janë futur në dy qese provash dhe ai i ka vulosur ato në kohën kur u dërguan në Hagë.

Prokurori i ka prezantuar dëshmitarit një dokument të datës 21 tetor të vitit 2021 për të cilin ai ka thënë se të njëjtin ia ka dhënë dikujt nga ZPS për ta futur në programin që ka dokumentet e mbledhura nga ZPS(ZaeLab).

“Është data kur e futëm tekstin në këtë format dhe në dhënien e DVD-së si një material i bashkëngjitur, që ishte një pjesë e shkurtër filmike bërë nga unë me telefonin celular në kohën e sekuestrimit nga kamera e sigurisë në zyrën e OVL-UÇK. Nuk e mbaj mend kujt ja kemi dhënë këtë dokument, që të futet në ZaeLab”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka mohuar t’i ketë thënë dikujt nga OVL-UÇK që dokumentet mund t’i mbajnë për 30 ditë apo për një periudhë të caktuar kohore.

Ai ka thënë se ka biseduar me Nasim Haradinajt në gjuhën suedeze, por sipas tij, biseda ka qenë vetëm rreth përshëndetës ndërsa të tjerat që lidhen me sekuestrimin janë zhvilluar me përkthyes.


“Nuk flas shqip thjesht jemi përshëndetur, por fola me zotin Haradinaj sepse ai flet suedisht, e dinte gjuhën, isha suedez, këto biseda ishin kryesisht për gjëra të përgjithshme, përshëndetje e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka thënë se pas 8 shtatorit, në zyrat e OVL-UÇK ka shkuar edhe dy herë të tjera për sekuestrim.

Sipas tij, ai ka drejtuar hetimin dhe sekuestrimin dhe është përgjigjur për sigurinë ku gjithashtu ka mbajtur qesen për sekuestrimin e dokumenteve.

Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtjes së Hysni Gucatit.

Ndër të tjera ai ka thënë se është njoftuar nga eprori i tij se dokumentet ndodhen në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë  prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.