Llapi pritet të bëhet me stadium të ri, i cili do të jetë me kritere evropiane. Kështu ka thënë trajneri i skuadrës llapjane, Tahir Batatina në një intervistë për KosovaPress.
Batatina e zbuloi në detaje “projektin gjigant” për ta ndërtuar një stadium të ri në Llap, pasi qëllimi i tij është që Kombëtarja e Kosovës të luajë ndeshjet edhe në Llap dhe jo vetëm në Prishtinë. Trajneri i Llapit tha se është në pritje që Kuvendi Komunal në Podujevë të ndajë parcelën për ndërtimin e “stadiumit gjigant”, i cili pritet të ketë 12 mijë ulëse.
"Një gjë e tillë do të bëhet shumë shpejtë, besoj që nëse më përkrah Komuna me parcelën dhe të na e ndajë zyrtarisht, ndoshta deri sa t'i përfundojnë skuadrat tjera stadiumin e parë, Llapi do të ketë stadiumin e dytë, një stadium gjigant për arsye që në këtë drejtim do të fillojnë edhe punimet, edhe mirëpres do të thotë që Llapi ta ketë stadiumin gjigant me 12 mijë ulëse, e meriton. Ky stadium i cili është këtu (Zahir Pajaziti) do të na shërbejë në momente të caktuara për akademinë e futbollit, sepse Llapi tashmë do të jetë një lokomotivë e dytë e Kosovës”, tha Batatina.
Drejtuesit e Llapit dhe Kuvendi Komunal në Podujevë janë në bisedime për parcelën e cila do t’i ndahet klubit për stadiumin e ri, lokacioni i të cilit sipas Batatinës do të jetë në fshatin Surkish. /A.Arifi/