Deputeti Muja akuzon ish-drejtorin e KEK-ut se bleu banesë 91 m2 për vetëm 7292 euro, e mohon Gjukaj

Ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Arben Gjukaj gjatë dëshmisë së tij në Komisionin hetimor për energji, është akuzuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, se ka blerë banesë 91 metra katrorë për vetëm 7 mijë e 292 euro.

Megjithatë, këtë nuk e pranoi vetë Gjukaj, por deputeti Muja ka theksuar se këto të dhëna i janë ofruar nga vetë KEK-u, përmes zëdhënësit të saj Skënder Bucolli.

“Ne i kemi marrë këto të dhëna zyrtare edhe vlera është 7 mijë e 292 euro. Pra, e ke blerë banesën 91 metra katror me 7 mijë e 292 euro. Këto janë të dhënat e KEK-ut që na I ka dorëzuar”, theksoi Muja.

Gjukaj tha se e ka blerë banesë nga KEK-u, por nuk e dinë çmimin.

“Kam paguar tarifat që i ka paraparë ligji, dhe kam blerë banesën, çmimi nuk më kujtohet. Çka ka rëndësi kjo dhe për çka është ky komision këtu. E thash që e kam bërë konform ligjit dhe tarifat i kam paguar…”, tha Gjukaj.

Deputeti Muja ka pyetur po ashtu Gjukajn për takimin dhe marrëveshjen e arritur me autoritetet e Serbisë në atë kohë për formimin e një firme të re në veri të vendit, të quajtur ESKO.

Gjukaj duke u përgjigjur, foli për marrëveshjen, por jo edhe për planin , pasi që sipas tij kjo është sensitive.

Ish-drejtori i KEK-ut tha se nuk bëhet fjalë për kompani ESKO.


“Do të flas për marrëveshjen, por nuk do të flas për planin, sepse implementimi i planit është sensitiv dhe duhet me qenë ende në mbyllje, aq se e di. Ne kur e morëm kompaninë me 56 për qind humbje, diku 11 për qind humbeshin ose shkonin në ato pjesë që quheshin enklava… ne kemi bërë një plan për t’iu qasur pjesës veriore dhe në kuadër të kësaj KEK-u ka bërë një zgjidhje kreative. Nuk është kompania ‘ESKO’, por marrëveshja është quajtur ‘ESKO’, Energy Service Kompany, shkurtesa e saj”, theksoi ai.

Deputeti Muja nuk u ndal me kaq, pyeti se Gjukajn a pyetur nëse është e vërtetë që kanë ndalë blloqet e KEK-ut për shkak të marrëveshjeve me kompanitë serbe.

“A është e vërtetç që i keni ndal blloqet elektrike në mënyrë që t’i respektoni kontratat me dy kompani serbe”, ka pyetur Muja.

Ish-drejtori, Arben Gjukaj tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.

“Asnjëherë, me përgjegjësi të plotë e themi, se asnjë bllok nuk është ndalë me qëllime për një operator sa i përket importit apo eksportit të energjisë elektrike”, tha Gjukaj.

Në Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, është komentuar edhe vendimi i organeve të drejtësisë që liron nga akuza shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe të herët lidhur me rastin “Hidrocentralet”.

Gjatë intervistimit të ish-drejtorit menaxhues të KEK-ut, deputeti i LDK-së Armend Zemaj dhe deputeti nga PDK-ja Rashit Qalaj me ironi theksuan se i gëzon fakti që gjykatat janë çkapur nga regjimi i ri.

“Çuditërisht nuk fol këtu sot për shthurjen e KEK-ut, e prita këtë prej nënkryetarit të Komisionit si më i zëshmi në këtë drejtim. Por duket që gjykata para dy ditësh e ka dhënë edhe një përgjigje për opinionin publik. Na gëzon fakti edhe për kryetaren e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, që duket ka dalë e pafajshme nga një procesi shumë përfolur. Gjykata s’është e kapur, a? Jo, sipas asaj po del që gjykata është çkapur nga regjimi i ri”, vlerësuan deputetët Zemaj dhe Qalaj.

Komisioni hetimor parlamentar intervistoi edhe katër ish-anëtarë të Bordit të KEK-ut.

Lexo edhe

Video