Deputeti i VV-së: Me këtë sistem gjyqësor do ta kemi të vështirë t’i garantojmë të drejtat e fëmijëve

Deputeti i VV-së: Me këtë sistem gjyqësor do ta kemi të vështirë t’i garantojmë të drejtat e fëmijëve

Komisioni për të Drejtat e Njeriut sot është takuar me përfaqësues të organizatës “Save dhe Children” dhe Zyrën e Qeverisjes së Mirë, ku u prezantua bashkëpunimi në mes të këtyre institucioneve, duke përfshirë edhe Komisionin përgjatë hartimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe implementimit të tij. 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, derisa i është referuar dënimit prej 8 muajsh e 8 ditë ndaj personit që dhunoi një të mitur në Gjakovë, tha se për shkak të sistemit gjyqësor të korruptuar Kosova do ta ketë shumë të vështirë t’i garantojë të drejtat e fëmijëve.

“Rastin e 12-vjeçares që është dhunuar, personat e dhunuar dënohen me vetëm 8 muaj burg e që kjo ngritë një problem tjetër që nënkupton se në të kaluarën në të tashmen dhe në të ardhmen, do ta kemi të vështirë të garantojmë të drejtat e fëmijëve për shkak të një sistemi gjyqësor të korruptuar, i cili në mënyrë të rastësisht, por në mënyrë krejt të qëllimshme një rast që ka zgjatur 10 vjet në fund të dënimit, Prokuroria e Shtetit i cakton prokurore një individ e cila del në pension vetëm katër ditë pas vendimit. Unë personalisht jam tepër i shqetësuar dhe dënoj fuqishëm këtë rast dhe ndjej nevojën që sa më parë të fillojë procesi i vettingut për shkak se ka gjykatës dhe prokurorë të tillë që caktohen në mënyrë të qëllimshme që të përfundojnë ditën e fundit të karrierës së tyre”, tha Bajrami. 

Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit tha se pas miratimit të ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve prioritet tani kanë hartimin e 17 akteve nënligjore.  Ndërsa, shtoi se “Save the Children” janë duke punuar që më 20 nëntor të lansohet një fushatë nacionale për zbatimin e këtij ligji.

“Ne i kemi dhënë prioritet nxjerrjes së akteve nënligjore që janë një gamë shumë e madhe të këtyre akteve nënligjore, 17 akte të fushave të ndryshme që kanë me futur në funksion në zbatim të ligjit dhe ato kanë dalë në konsultim me publikun dhe presim gjatë nëntorit që të miratohen. Po ashtu, jemi duke punuar në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe autoritetet lokale e shoqërinë civile. Mbështetemi nga partneri ynë “Save dhe Children” dhe jemi duke hartuar një program për lansimin e fushatës nacionale dedikuar zbatimit të ligjit dhe presim që më 20 nëntor kryeministri i Kosovës ta lansojë këtë fushatë nacionale gjithëpërfshirësve”, tha ai.

Hajredini foli edhe për krijimin e një linje telefonike që do t’u dalë në ndihmë fëmijëve për çka tha se një projekt konkret do ta kenë të gatshëm në dhjetor.


“Për neve është e rëndësishme futja në funksion e linjës së telefonisë ndihmëse për fëmijët. Tani jemi duke bërë një projekt-ide që parashihet edhe posta financiare dhe parashihet se si do të funksionojë me sigurinë që deri në fund të dhjetorit do të dalim me një ide dhe propozim. Është tepër me rëndësi që ne ta kanalizojmë përkrahjen me “Save the Children”, sidomos te linja e telefonit, sepse jemi nga vendet që nuk e kemi dhe ligji e parasheh, por nuk është ideja të kemi një linje të telefonit që u del në ndihmë fëmijëve, por ideja është që të ketë një gamë të gjerë  të institucioneve që do të involvohen në aspektin shëndetësor”, tha Hajredini.

Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Tinka Kurti  tha se plagë e madhe për shoqërinë tonë janë fëmijët lypsarë për të cilët ende nuk ka një zgjidhje të problemit të tyre.

“Fëmijët që lypin, pavarësisht nëse janë të trafikuar apo jo, janë prej plagëve më të mëdha të shoqërisë sonë. Është jashtëzakonisht e dhimbshme për ne të shohim dhe mos të kemi zgjidhje ende për këtë punë“, tha ajo.

Anëtarja e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci kërkoi që prioritet të jetë fuqizimi i institucioneve që merren direkt me mbrojtjen dhe edukimin e fëmijëve.

“Ka qenë një hap i rëndësishëm. E kemi një ligj. Është pjesa fillestare në të njëjtën kohë. Po punohet në pjesën e  akteve nënligjore që ligji të jetë i zbatueshëm. Është e rëndësishme pas kësaj faze të fokusohemi në fuqizimin e institucioneve   që janë të obliguar ta zbatojnë ligjin… Ambicia e parë duhet të jetë mbrojtja e fëmijëve, të sigurohemi që fëmijët të kenë mbrojtje së pari e pastaj të fokusohemi në pjesë të tjera në relacion me mirëqenien e fëmijëve. Sa i përket çështjes së edukimit janë ndërmarrë disa hapa. Kjo përveç rëndësisë së çështjes së fëmijëve ndërlidhet edhe me mirëqenien e grave pasi krijon një pavarësi edhe te gratë në kuptimin e grave në shoqërinë tonë. Fatkeqësisht, nuk kemi raste të vogla të përfshira në çështjen e keqtrajtimeve të fëmijëve, por janë edhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me disa prej komuniteteve në vendin tonë se ekziston një neglizhencë në vendin tonë në trajtimin e rasteve të tyre sidomos kur kemi të bëjmë me fëmijët lypsarë që shesin është një prej pjesës që duhet të trajtohet me seriozitet”, tha Bogujevci.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione sot ka diskutuar edhe zgjidhjen e statusit tё veprimtarëve invalidë/tё plagosur para luftës çlirimtare nё Kosovё.

Lexo edhe

Video

error: