Deputetët kërkojnë që në Komisionin për Shëndetësi të kthehet sektori i mirëqenies sociale

Deputetët kërkojnë që në Komisionin për Shëndetësi të kthehet sektori i mirëqenies sociale

Deputetët e partive opozitare në Komisionin e Shëndetësisë kanë kërkuar që në fushëveprimtarinë e këtij komisioni të futet edhe aspekti i mirëqenies sociale,  dikaster i cili në legjislaturat e kaluara ka qenë pjesë e këtij komisioni. Këtë propozim e kanë mbështetur edhe deputetët e mazhorancës, derisa kryetarja e Komisionit për Shëndetësi tha se do bëjë shkresë zyrtare tek Kryesia e Kuvendit për të këtë çështje. Madje opozita dhe pozita u pajtuan që vonesat për planin qeverisës dhe agjenda legjislative po i pengojnë që të dakordohen edhe për punën e Komisioneve, prandaj kërkuan që sa më parë plani qeverisës t’ për prezantim në Kuvendin e Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku pasi tregoi fushëveprimtarinë e këtij komisioni, propozoi që të ftohen për raportim disa nga përfaqësuesit shëndetësor. I pari pwr raportim u propozua të jetë drejtori i Shëbrimit Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi e më pas edhe udhëheqësit e Kujdesit Primar Shëndetësor dhe drejtorinë shëndetësor të burgjeve të Kosovës.

“Pres nga ju që ne si Komision të kemi qasje proaktive në muajin e parë dhe do propozoj fillimisht unë dhe më pas dhe ju që derisa  të jemi në pritje të strategjisë legjislative brenda planit tanë në muajin e parë cilat janë prioritet e këtij komisioni. Unë propozoj që në takim të ftojmë drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi të vijë në Komision dhe të na jap një raport të hollësishëm sepse ashtu siç u diskutua rëndësia e vaksinave e pakontestueshme si mjeti kryesor në mbrojtje kundër pandemisë COVID-19. Por që ne jemi të interesuar që të dimë se cila është gjendja qoftë në QKUK qoftë nëpër spitalet regjionale dhe sa i përket gjendjes së punës por edhe të pacientëve si shkon trajtimi dhe gjitha pengesat që kanë shërbyesit shëndetësor”, theksoi ajo.

Pas këtij propozimi reagoi deputeti i PDK-së anëtar në këtë komision, Bekim Haxhiu i cili kërkoi që në fushëveprimtarinë e këtij komision të bëhet kërkesë që të kthehet edhe mirëqenia sociale, në të kundërtën siç tha ai kjo çështje do mbetet pa u trajtuar.

Haxhiu madje kërkoi se si Komision i Shëndetësisë t’i propozohet Qeverisë ta rikthej ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Mendoj se si Komision e para punës duhet të diskutonim që të rikthehej edhe fushëveprimit por edhe emërimi i këtij komisioni mu për faktin se ky komision ka trajtuar ligjet të rëndësishme  siç është ligji për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, ligji për të verbëritë, besoj edhe ligji për lehona dhe pushimin prindëror dhe nuk besoj që ka komision më kompetent parlamentar në Kuvend sesa ky qoftë monitorimin dhe zbatimin e atyre ligjeve që i kemi miratuar apo miratimin e ligjeve të reja, mendoj që qeveria seriozisht duhet të mendua dhe si komision me propozua ta rikthej ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale sepse qendrat sociale sot janë të shkapërderdhura dhe pa mbikëqyrje dhe sot as strehimoret e viktimave nuk dihet se nga kush do menaxhohen është një ngatërresë e madhe që është shkaktuar në zbatim”, tha ai.

E ish ministri i Shëndetësisë njëherësish edhe nënkryetar i Komisionit për Shëndetësi, Armend Zemaj tha se janë të kota idetë që të ftohen për raportim persona derisa ende nuk dihen politikat shëndetësore të kësaj qeverie.

“Të gjitha të tjerat janë të kota kur nuk e dimë shprehimisht se cilat janë politikat shëndetësore të qeverisë aktuale, nuk ka program qeverisës, nuk ka strategji legjislative dhe ju po insistoni që të lëshohemi në rrafshin e raportimit dhe kërkesës për llogaridhënie në diçka të cilën nuk e dimë se cilat janë orientimet programime të kësaj qeverie për sektorin e shëndetësisë. Është ‘non sens’ që në gjithë këto muaj të qeverisjes ose të parapërgatitjes paraelektorale aktualisht që deri më tani nuk kemi një program qeverisëse që ne si komision funksional mund të ulemi duke u mbështetur në fushëveprimtarinë e komisionit dhe të lëshohemi në pjesët operacionale dhe të komisionit”, theksoi Zemaj.

E kryetarja e Komisionit për Shëndetësisë, Fatmire Kollçaku i informoi deputetët se qeveria shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës do sillet plani qeverisës dhe strategjia legjislative.

“Për strategjinë legjislative të gjithë u pajtuam nuk ka vërejtje rastësisht jam në pozitë dhe jam e informuar që ajo do arrij shumë shpejt dhe normal që plani i punës nuk do prezantohet këtu as nuk do përfundoj”, tha ajo.

Shemdesin Dreshaj anëtar i këtij komisioni nga radhët e AAK u pajtua që në fushëveprimtari të këtij komisioni të jetë pjesë edhe segmenti i mirëqenies sociale.

“Plotësisht pajtohem që për shkak të ngjashmërisë që ka puna dhe mirëqenia sociale me shëndetësinë që në kuadër të fushëveprimtarisë të këtij komisioni të futet edhe ky segment” ,theksoi Dreshaj.


Ndërsa, në këtë mbledhje të Komisionit për Shëndetësi u diskutua edhe për shkresën e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës lidhur me uljen e shtesave për profesionistët shëndetësore. Kjo shkresë adresonte edhe kërkesa të tjera siç ishte dyfishimi i buxhetit për shëndetësi, ligji i pagave etj.

Lidhur me shtesat për profesionistët shëndetësor, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku tha se tashmë në seancën e djeshme parlamentare ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dhënë sqarimet se pse ka ardhur deri tek ulja e këtyre shtesave.

Sipas saj më e rëndësishme është që të paguhen orët shtesë dhe ditët e pushimit të profesionistët shëndetësor.

“Sa i përket këtyre shtesave dhe që u diskutua edhe dje në seancë ministri na dha një sqarim se mjetet kanë qenë të ndara deri në muajin mars në këto dy muaj nuk ka buxhet të mjaftueshëm dhe është bërë një përpjekje të gjendet një mbështetje tjetër për profesionistët shëndetësor dhe shuma e përcaktuar është 150 euro është e qartë që zgjidhja përfundimtare është ligji i pagave sepse këto shtesat kanë qenë shtesa për situatën aktuale[…]Ka shumë punëtor shëndetësor që jo vetëm për këtë shtesë që po jepet uniforme por që ka edhe vërejtur që janë shumë të mbingarkuar e disa vazhdojmë me komoditetin e punës si para  pandemisë kjo duhet të dihet të paguhet puna dhe ora shtesë sepse nuk mund t’i obligojmë punëtorët të punojnë pas orarit ”, theksoi Kollçaku.

Ish ministri i Shëndetësisë njëherësish edhe nënkryetar i Komisionit për Shëndetësi, Armend Zemaj uljen e shtesave për personelin shëndetësor e ka konsideruar gabim dhe të pamoralshme.

Zemaj ka kërkuar që të kthehen shuma prej 300 eurosh shtesa për mjekët dhe infermierët.

“Nuk kam dëgjuar ndonjë arsye të shëndosh nga ministri i Financave  edhe pse është ul kjo shumë  monetare, besoj që kjo duhet të rishikohet nëse jo në këtë muaj por në muajt tjerë dhe të gjenden fonde për mbështetje derisa nuk ka mbështetje tjetër për mbështetje si pushimi ashtu siç iu takon me ligj edhe shumica nga ta sidomos klinikat COVID edhe në spitalet regjionale dhe në QKUK të cilët për një vit të tërë shumica e tyre pa i përmendur në aspektin profesional  nuk kanë asnjë ditë të pushimit dhe t’i ulet mbështetja financiare kjo është e pamoralshme edhe të diskutohet se ku kemi mbetur si Kosovë për shkak të ligjit dhe mos ligjit për pagat,  mendoj se është gabim që është ulur kjo mbështetje duhet të rikthehet sepse në fund të fundit është meritore”, tha Zemaj.

Deputeti i PDK-së anëtar në këtë komision, Bekim Haxhiu u pajtua që të dyfishohet buxheti për sektorin e shëndetësisë, madje ai tha se këtë qeveria mund ta bëjë lehtësisht pasi e ka shumicën.

E për shtesat  Haxhiu tha se ky është një detyrim ligjor që rrjedh nga Ligji për Luftimin dhe Parandalimin e COVID-19.

“Unë dua t’ua rikujtoj tek Ligji për Luftim dhe Parandalim të COVID-19 tek neni 20 dispozita të veçanta për luftim me COVID-19  kur folët për kompensimin pra qeveria bënë kompensim shtesë  mbi pagën bazë për institucionet shtetërore të angazhuara në betejën e pandemisë COVID-19 dhe pika dy kategoria e përfituesve lartësia e shumës dhe kohëzgjatja e kompensimit të shtesave caktohet me akt nënligjorë të nxjerr nga qeveria e Kosovës, pra është detyrim ligjor i qeverisë ta nxjerr aktin nënligjor për lartësinë e shtesave dhe për përfituesit për ata që janë  të përfshirë në menaxhim të pandemisë“, tha ai.

Shemdesin Dreshaj anëtar i këtij komisioni nga radhët e AAK shtesën prej 150 euro për stafin mjekësor e ka quajtur qesharake krahas rrezikut që ata ballafaqohen çdo ditë. Sipas tij këtë problem mund ta zgjedh vetëm Ligji i Pagave.

“Besoj që kjo është një kërkesë e mirë dhe na takon neve pjesa tjetër i takon kryeministrit, qeverisë lidhur me dyfishimin e buxhetit nuk jam asgjë kundër dhe jam pro asaj nëse ka buxhet dhe financa, por kjo nuk bëhet vetëm me para duhet shëndetësia të jetë prioritet i menaxhimit të vendit nuk mjaftojnë vetëm paratë. Atë që dua të fokusohem më tepër ka të bëjë me ligjin e pagave se nuk është zgjedhje subvencionimi i punëtorëve shëndetësor pse nuk është zgjidhje se për shkak se kemi hyrë në një situatë që vërtetë punëtorët shëndetësor i kemi bërë  shëndetësor vetëm me letër ata të gjorët për çdo ditë në vijë të parë të frontit të bisedohet për një subvencioni prej 150 eurosh është qesharake”, theksoi ai.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi u dakorduan që javën e ardhshme të zhvillojnë një vizitë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ku do takohen me drejtorin, Valbon Krasniqi dhe Bordin e SHSKUK-së.

Lexo edhe

Video