Deputetët kërkojnë plan strategjik kombëtar në përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit

Mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të Bashkimit Evropian (BE) paraqet rrezik për ombrellën e sigurisë së vet BE-së. Kështu u tha në mbledhjen e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, teksa u kërkua unitet politik dhe plan strategjik kombëtar në përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.

Kryetari i komisionit, Haki Abazi tha se procesi i hapur i dialogut ka krijuar justifikimin e 5 shteteve anëtare të BE-së që të shtyjnë njohjen e Kosovës.

Ai tha se është i nevojshëm shkëmbimin e përvojave nga e kaluara në mënyrë që të shërbejë si narrativ për vazhdimësinë e procesit.

“Procesi i hapur i dialogut, së paku në opinionin tim ka krijuar njëfarë lloj justifikimi për shtet që presin përfundimin e dialogut me Serbinë, që të bëhet njohja formale e pavarësisë. Por, në të njëjtën kohë duhet falënderuar shumicën prej këtyre që nuk e kanë penguar Kosovën në shumë procese të rëndësishme[…]Por, kjo nuk e zëvendëson në asnjë formë qëllimin përfundimtar që kemi si shtet, që të jemi të njohur nga këto 5 shtete në prioritet. Sigurisht që aspirata jonë është që të marrim edhe ulëse në Kombet e Bashkuara. Në disa takime me disa përfaqësues të këtyre vendeve, formale dhe joformale, forma sesi është shtruar është se mosnjohja e Kosovës është që mosnjohja e Kosovës është një rrezikim i sigurisë së ombrellës së BE-së. Do të thotë është njëfarë paradoksi që vet anëtarët e BE-së e rrezikojnë ombrellën e sigurisë të BE-së, duke e lënë Kosovën në një situatë të paqartë”, tha ai.

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj tha se mosnjohja e vendit nga 5 vende të BE-së është pengesë për aspiratat e Kosovës.

Ajo ngriti edhe çështjen e lëvizjes së lirë, duke thënë se është e padrejtë që Kosova nuk ka liberalizim të vizave, teksa theksoi se vendet tjera po marrin statusin e kandidatit.

“Një pengesë e madhe është sepse ne dëshirojmë me qenë pjesë e OKB-së, pjesë e NATO-s dhe është pikërisht mosnjohja e 5 vendeve që po na pengon nëpër këto procese[… ]Në çdo tavolinë diskutimi duhet me qenë kërkesë diskutimi dhe në nivel qeverie dhe ne që zhvillojmë diplomaci parlamentare, sa herë që të na ofrohet mundësia për takime bilaterale kjo duhet me qenë një kërkesë, edhe liberalizimi i vizave edhe njohja nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha ajo.

Ajo kritikoi qasjen e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, karshi këtyre proceseve. Teksa foli për rëndësinë që ka hartimi i një strategjie të përbashkët karshi 5-vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën.


“Kjo është një qasje e gabuar e ministres Gërvalla që duhet shmangur prej këtyre tavolinave, sepse ne përfaqësojmë interesin e Kosovës[…]Mua po më çudit, zyrtarë, përfaqësues të politikave të jashtme me shku me bë këso gabime është e tmerrshme. T’i drejtohemi grupit për hulumtimi, t’i thërrasim të gjitha organizatat që merren me dialogun dhe që kanë qasje dhe mundemi me e bë një strategji të përbashkët si komision”, u shpreh ajo.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu -Shoshi tha se duhet të hartohet një plan strategjik kombëtar për përfaqësimin e Kosovës në diplomacinë e jashtme.

Ajo shtoi se  përmes grupeve të miqësisë mund të organizohen takime bilaterale në mënyrë që të përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur vendin të njihen më mirë me atë që është Kosova.

“e vetmja mënyrë që ne mundemi me pas kontakte dhe takime me ta është përmes komisioneve homologe ose përmes grupeve të miqësisë”, u shpreh ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha tha se duhet të targetohen grupe dhe deputet parlamentar në vendet që janë skeptik për liberalizimin e vizave dhe të ftohen për një seminar 3-ditor, në mënyrë që këta të fundit të shohin realitetin në vend dhe të shërbejnë si ambasadorë për vendin.

Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë u fol edhe për 56 grupet e miqësisë që do të shërbejnë për takime me grupet parlamentare të vendeve tjera.

Me këtë rast, deputetët kërkuan që të bëhet plotësim-ndryshimi i rregullores, për çka më pas u zgjodh edhe grupi punues i përbërë nga deputeti Dimal Basha dhe deputetja Ariana Musliu – Shoshi.

Kryetari i komisionit Haki Abazi tha se emrat për grupet e miqësisë i kanë dërguar vetëm AAK dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Lexo edhe

Video

error: