Dënimi i krerëve të shoqatave të UÇK-së, flet shoku i fëmijërisë së Nasim Haradinajt

Shoku i fëmijërisë së Nasimit, Sokol Gjoci thotë se e ka përjetuar rëndë vendimin për dënimin e tij me burgim prej katër vjet e gjysmë.

Ai thotë për KosovaPress se Gjykata Speciale po mban në burg, ata që sollën lirinë e Kosovës.

Megjithatë, Gjoci thekson se e ka pritur këtë dënim, por, pret se pas ankesës nga avokati mbrojtës, ai do të lirohet.

Sokol Gjoci ka ardhur në vizitë te familja e Haradinajt në Gllogjan. Ai pas shpalljes së vendimit për Nasim Haradinaj e Hysni Gucatin, tha për KosovaPress se kjo gjykatë është e padrejtë dhe kundër Kosovës.

“E kemi përjetuar shumë keq edhe e vlerësojmë shumë gabim. Duke u bazuar se kjo gjykatë është kryekëput e organizuar edhe formuar politikisht. Fatkeqësisht mbahen në burg ata që kanë sjellë lirinë, ata që kanë dhënë edhe gjymtyrët edhe jetën edhe familjet për këto ditë që ne i gëzojmë sot. Lajmi për dënimin e Nasimit na ka ardhur shumë rëndë, mirëpo në anën tjetër e kemi pritur që do të dënohen duke u bazuar se cila gjykatë është duke i dënuar”, deklaroi ai.


Gjoci rrëfen se është rritur bashkë me Nasimin dhe se familja e tyre ka sakrifikuar shumë për lirinë e vendit.

“Ne jemi rritur me Nasimin bashkë qe nga klasa e parë kemi qenë bashkë, në gjimnaz bashkë, krejt jetën kemi qenë bashkë. Kur flasim për Nasimin është një privilegj shumë i madh për fshatin, e posaçërisht për familjen Haradinaj të Gllogjanit. Qe gjeneratë pas gjenerate kanë sakrifikuar, kanë dhënë gjysh e babagjysh për lirinë e këtij vendi”, shton ai.

Në paraqitjen e Haradinajt, para trupit gjykues, ai shprehet se doli faqebardhë. Gjoci pret se pas ankesës që do të bëjë avokati mbrojtës i Nasim Haradinaj, do të lirohet.

“Shumë shpejt, nëse ekziston gjykata ashtu si duhet, ai duhet të kthehet shumë shpejt. Edhe ata qe janë më naiv kanë besuar kanë besuar se ekziston një gjykatë ndërkombëtare e drejtë. Mirëpo me këtë dënim, për Nasim Haradinaj e kanë humbur atë mendim dhe nëse nuk kthehet ky mendim prapa, nuk i beson askush kësaj gjykate. Ajo gjykatë është e themeluar kryesisht prej Serbisë, nën ndikimin rus”, përfundon Gjoci.

Gjatë së mërkurës, trupi gjykues i ka shpallur fajtor Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, duke i dënuar me katër vjet e gjysmë burgim dhe me nga 100 euro gjobë.

Ish-krerët e OVL-UÇK-së janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes. Të dënuarve do t’iu llogaritet periudha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.

Lexo edhe

Video