Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Dëmet në bujqësi janë të mëdha, kompensimi pas vlerësimeve

Dëmet në bujqësi janë të mëdha, kompensimi pas vlerësimeve

Vërshimet e fundit të shkaktuara nga reshjet e mëdha kanë përmbytur edhe tokat bujqësore, duke bërë dëme të mëdha në kulturat e mbjellura.

Fermerët që kanë pësuar nga këto vërshime kërkojnë ndihmën e shtetit për kompensim, ndërsa ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa thotë se pas vlerësimeve të dëmeve, do të bëjnë kompensimin financiar të këtyre dëmeve.

Fermeri nga Krusha e Madhe, Mentor Duraku thotë se dëmet janë të mëdha në bujqësi, në kulturat bujqësore të grurit.

Fermerit nga Rahoveci i cili është edhe kultivues i perimeve, reshjet e fundit ia dëmtuan edhe lakrën.

“Reshjet e fundit kanë dëmtuar grurin më shumë. Janë në ujë të gjitha. A ka dalë ndonjë komisionin me vlerësuar dëmin? Jo ende. Kanë dalë për evidentimin e shtëpive që është bërë dëm”, theksoi ai.

Kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti thotë se fatkeqësisht edhe zona e Rahovecit është prekur nga vërshimet, por siç tregon ai dëmet më të mëdha janë në bujqësi, veçanërisht sipërfaqet me grurë.


“Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha edhe në bujqësi, siç shihet edhe nga këtu kemi të bëjmë me sipërfaqe të tëra përmbytura e që fatkeqësisht janë me grurë të mbjella. Gruri është buka që është produkt strategjik për secilin popull në tryezë dhe në aspektin ekonomik. Mbesim me shpresë se niveli komunal dhe qeveria qendrore, si dhe të gjithë akterët e tjerë të cilët kanë mundësi të ndihmojnë dhe t’u dalin në krah fermerëve dhe familjarëve në ne nevojë jo vetëm në fshatin tonë, por gjithandej ku ka pasur vërshime”, deklaron Hoti.

Edhe fermeri nga Remniku i Vitisë, Qerim Qerimi që është kultivues i dredhëzës thotë se janë dëmtuar mjaft nga vërshimet.

“Po tash jemi dëmtuar shumë, ende s’kanë dalë komisionet… Është problem me iu përgjigjur këtij dëmi tash. Për treg është pak rrezik, se nuk jemi të sigurt askund me dërgua”, tha ai.   

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa thotë për KosovaPress se fatkeqësisht është një numër i madh i komunave ku kanë pësuar fermerët nga fatkeqësitë natyrore ose nga reshjet e fundit.

Mustafa po ashtu thotë se pas vlerësimeve të dëmeve, me anë të një vendimi qeveritar do të kompensohen ato me mjete financiare.

“Vërshimet kanë qenë mjaft të mëdha ka qenë e pa mundur edhe lëvizja e zyrtarëve komunal në disa nga këto treva. Tani komisionet kanë filluar të dalin në terren për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet. Sa po të kemi raportet finale do të bëjmë një përmbledhje përfundimtare për të gjitha komunat dhe do të nxjerrim një vendim në qeveri për kompensimin financiar të këtyre dëmeve”, thotë Mustafa.

Edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet nëpër shtëpi, infrastrukturë rrugore dhe bujqësi ka premtuar se me prioritet do të bëhet kompensimi i dëmit nga Fondi Emergjent i Qeverisë së Kosovës.

Lexo edhe

Video

error: